Tifogrupi i Kombëtares së Kosovës “Dardanët” ka dhënë detaje të rëndësishme lidhur me shpërndarjen e biletave për ndeshjen ndaj Turqisë.
Kosova dhe Turqia do të përballen të martën mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ në finalen e madhe të pley-off-it për Kupën e Botës.
Përmes një njoftimi zyrtar, tifozët kanë bërë të ditur se biletat për sektorin e tyre do të shpërndahen në ditën e ndeshjes, duke nisur nga ora 17:30 në Fan Club-in pranë stadiumit.
“Duke qenë se nuk dëshirojmë në asnjë mënyrë që në sektorin tonë të ketë keqpërdorim të biletave dhe për të shmangur çdo skenar të tillë, shpërndarja e biletave do të bëhet në ditën e ndeshjes ndaj Turqisë”, thuhet në njoftim.
“Shpërndarja do të fillojë të martën nga ora 17:30, te Fan Club-i ynë pranë stadiumit ‘Fadil Vokrri’”.
“Biletat janë të destinuara vetëm për persona të rritur (18+) dhe për tërheqjen e tyre secili anëtar duhet të paraqesë kartelën e anëtarësimit vjetor”, theksohet më tej.
Tifogrupi ka bërë apel për organizim dhe shmangie të panikut, duke garantuar se biletat janë të sigurta për të gjithë ata që plotësojnë kriteret.
“Meqenëse biletat janë të sigurta, ju lusim që të mos krijoni panik të panevojshëm. Çdo person që nuk i përmbush kriteret nuk do të lejohet t’i afrohet perimetrit të stadiumit”, thuhet në fund të njoftimit.
Në përfundim, “Dardanët” u kanë bërë thirrje tifozëve që pas pajisjes me bileta të hyjnë sa më herët në stadium për të kontribuar në atmosferën mbështetëse në këtë përballje të rëndësishme.
–>