Agjencia për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik vazhdon të mbetet e bllokuar që nga dhjetori 2025, ende nuk është emëruar udhëheqësi i ri, ndërsa punëtorët nuk marrin rroga. Ankesat nuk trajtohen dhe ueb-faqja nuk punon, raporton Portalb.mk.
Në seancën e fundit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, pika e vetme ishte propozimi për drejtor të Agjencisë, ku kryetari i Komisionit e propozoi Petar Gajdov.
Deputetët e pushtetit ngritën dorën dhe miratuan kandidatin pa diskutim, ndërsa opozita heshti.
Nuk u zgjodh asnjë zëvendësdrejtor, edhe pse kishte katër kandidatë.
Sipas kryetarit të komisionit Gjorgjia Saikoskit, asnjëri nuk përmbushte kriteret, kandidate për zëvendës-drejtoreshë ishte edhe drejtoresha paraprake e institucionit Plamenka Bojçeva.
Për zëvendës-drejtorë u paraqitën edhe Fatmir Zimberi, Ismed Selmani dhe Mile Stojanovski.
Pritet që në vijim drejtori i ri të votohet nga deputetët në seancë plenare.
Agjencia për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik është pa drejtor që nga 25 dhjetori 2025, kur i përfundoi mandati ish-drejtores Plamenka Bojcheva, ndërsa procesi për emërimin e drejtorit apo drejtoreshës së re është zvarritur me muaj.
Paralizimi i këtij institucioni ka ndikuar direkt në punën e mediave, të cilat nuk kanë ku të ankohen në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të tyre për informata.
Ndryshe, Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik, në vitin 2024 ka trajtuar rreth 350 ankesa, ndërsa në vitin 2025 ka trajtuar rreth 580 ankesa nga individë apo organizata të cilëve u ishte penguar e drejta për qasje të lirë në këto informata.