“Në respekt të veprës të brendshme të policisë, në shenjë nderimi dhe detyrimi, në emër të punonjësve të Policisë së Shtetit, betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit”, tha Skënder Hita në çastin e betimit në detyrë si Drejtor i Policisë së Shtetit. Hitës ia kaloi stafetën drejtori i Komanduar Sokol Bizhga, i cili drejtoi përkohësisht Policinë e Shtetit pas largimit të Ilir Prodrës.
Për mandatin 5-vjeçar, prioritetet e Skënder Hitës nisin nga lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke nisur që nga radhët e bluve, për të vijuar me rritjen e sigurisë për qytetarët, modernizimin e policisë, rritjen e transparencës dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët.
“Luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke filluar nga radhët tona; rritja e sigurisë në shkolla dhe çdo komunitet; forcimi i rendit dhe sigurisë; modernizimi i policisë përmes teknologjisë dhe trajnimeve sipas standardeve evropiane; rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë; mbështetje dhe motivim për çdo punonjës; forcim i bashkëpunimit me partnerët”, tha Hita në fjalimin e parë të mbajtur në postin e ri.
Kryepolici Hita kërkoi nga bashkëpunëtorët e efektivët, ndershmëri dhe përkushtim ndaj uniformës, ligjit dhe qytetarëve. U garantoi mbështetje, por dhe kërkesën e lartë për standarde duke shtuar se Policia e Shtetit po bëhet gati për të qenë e denjë për një shtet të BE.
“Të dashur punonjës, ju jeni shtylla e këtij institucioni. Nga ju kërkoj përkushtim, ndershmëri dhe respekt të palëkundur për ligjin dhe qytetarët. Do të jem mbështetësi juaj në rrugën e drejtë, por edhe kërkues i lartë i standardeve dhe përgjegjësisë, sepse po përgatitemi për Policinë e Shtetit të një vendi evropian. Le të punojmë për një polici që nuk imponon autoritetin, por e fiton çdo ditë përmes shërbimit dhe drejtësisë”, tha Hita.
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i la 3 porosi kryepolicit të ri, “Forconi më tej profesionalizimin, thelloni luftën kundër paligjshmërisë, dhe të garantoni që Policia të mbetet një institucion në shërbim të qytetarëve dhe jo mbi ta”.
Dhe njëherë tjetër, Lamallari hodhi poshtë zërat se emërimi i Hitës vinte nga “dora” e Belinda Ballukut duke theksuar se gara ishte transparente dhe e bazuar në meritokraci, duke theksuar se kryepolici i ri është një oficer karriere.
“Për të mbërritur deri në këtë ceremoni është kaluar përmes një procesi transparent dhe të bazuar në meritë, duke siguruar që drejtimi i këtij institucioni ti besohet një figure të besueshme dhe pavarësisht se fituesi duhet të ishte një dhe vetëm një, vlerësoj pjesëmarrjen e të gjithë kandidatëve”, tha Lamallari.
E pranishme në ceremoni, zv/kryeministrja Albana Koçiu tha se uniforma e Policisë së Shtetit mbahet e veshur vetëm nga ata që e meritojnë.
“Ripërtëritja e trupë së policisë përmes afrimit të rinjve mbi bazë meritokracie dhe mbi bazën e forcimit të integritetit. Uniforma e Policisë së Shtetit të mbahet vetëm nga ata që e meritojnë”, tha Albana Koçiu.
Vetëm 46 vjeç, Skënder Hita do të drejtojë për 5 vitet e ardhshme Policinë e Shtetit pasi kaloi të gjitha filtrat e një konkursi ku morën prej 14 kandidatë. Hita ka shërbyer në polici nga veriu në jug, me karrierë në ngjitje në 10 vitet e fundit. Një prej detyrave më të rëndësishme ishte drejtimi i Policisë së Shkodrës në vitin 2021. Së fundmi, Skënder Hita drejtonte Fierin, qark i rëndësishëm me potencial krimi, por që vitin që lamë pas e mbylli me vetëm 2 vrasje, krim në familje.