5
Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët se sot, duke filluar nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillohet ndeshja finale e play-off-it për FIFA World Cup 2026 – ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Policia deklaron se duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të kësaj ndeshjeje, janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organizatorët. Policia e Kosovës, së bashku me strukturat mbështetëse angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes.
Do të ketë prani të shtuar policore në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”.
“Me qëllim të lëvizjes së delegacioneve, lehtësimit në qarkullim dhe zhvillimit të ndeshjes, do të ketë bllokime të përkohshme të rrugëve: lokale dhe Nacionale si në vijim rrugët: Tringë Ismajli, Agim Ramadani, Eqrem Çabej, Semaforat kryesore, Bulevardi Bill Clinton, Rrethi te Stacioni i Autobusëve, Rruga Hekurudhat, Rruga Tirana (drejt stadiumit), ndërsa gjatë largimit nga stadiumi drejt aeroportit: Rruga Tirana, Arbëria, rr. Ahmet Krasniqi dhe Autostrada (drejt aeroportit).”
Rrugë të tjera kanë kufizime të përkohshme në Perimetrin rreth stadiumit, “Luan Haradinaj” (deri te Ministria e Drejtësisë) dhe “Fehmi Agani”.
Sipas policisë, këto bllokime do të jenë të përkohshme dhe do të realizohen në intervale kohore, varësisht nga lëvizjet zyrtare dhe nevojat e lehtësimit ne trafikun rrugor.
Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren, të përdorin rrugë alternative kur është e mundur, të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike
Siguria dhe mbarëvajtja e kësaj ngjarje sportive është përgjegjësi e përbashkët.