Sot në Shkup ushëtiu zëri i mijëra studentëve shqiptarë të Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut të cilët protestuan masivisht për dy orë për të kërkuar përdorimin e gjuhës amëtare në provimet e diplomimit, një e drejtë që praktikisht ekziston në letër.
Me thirrjet “ Gjuha shqipe e drejta jonë” “ne flasim shqip”, “nuk ka shtet pa rini”, studentët e shumtë në numër mbanin pankarta të ndryshme dhe flamujt kuq e zi duke kërkuar diçka që është e garantuar.
Studentët kishin ngritur një podium pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe prej andej kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të Drejtësisë Igor Filkov dhe ministres së Arsimit Vesna Janevska
Studenti dhe organizatori i protestës Mevlan Ademi tha në fjalën e tij para protestuesve se “kur preket gjuha, preket themeli.”
“Po ja ku jemi. Para se të jemi studentë, profesionistë, ne jemi shqiptarë. Dhe kur preket gjuha preket vet themeli ynë. Gjuha shqipe është mënyra se si jetojmë, si flasim dhe si kemi ardhur deri këtu. Kjo është minimumi baza dinjiteti, nuk kërkojmë favore kërkojmë barazi, ne nuk jemi kundër askujt, ndoshta kundër Fillkovit…Jemi këtu për veten tonë për gjuhën tonë për të ardhmen tonë. Ne po themi, nuk ka shtet të së drejtës pa barazi të gjuhës… jemi brezi që nuk hesht, nuk dorëzohet, brezi që mbron dhe flet shqip”, tha ai
“Kjo është gjuha jonë, identiteti ynë. Ne jemi student të drejtësisë që nesër do të mbrojmë ligjin, dhe sot jemi këtu për të përdorur diçka që ligji tashmë e njeh. Jemi këtu për të drejtën tonë. Gjuha është historia. Sot jemi të bashkuar dhe nuk do lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion, sepse nuk është opsion por identitet. Nuk ka shtet të së drejtës pa respekt për gjuhën. Ky është amaneti i atyre para nesh, dhe porosia për ata që do të vijnë pas nesh. Shqipja nuk negociohet”, u shtoi Ademi.
Një student tjetër tha se gjuha është gjak dhe nuk mund të trajtohet si opsion.
“Në 2026 nuk mendoja që studentët do të dilnin në rrugë për gjuhën e tyre. Por ja ku jemi. Firkov, studentët duan të japësh dorëheqjen, por përpara se të kemi studentë dhe profesionistë jemi shqiptarë. Kur preket gjuha preket themeli ynë, shqipja është mënyra se si kemi mbijetuar dhe ardhur deri këtu. Shqipja nuk negociohet është identiteti ynë. Gjuha është gjak, histori. Nuk lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion, sepse është identitet. Sot nga ky shesh themi se nuk ka barazi pa shqipe dhe të ardhme pa shqipe. Jemi këtu për këtë. Jo për sot por për nesër. Para ata që vijnë pas nesh sepse ne jemi brezi që nuk hesht apo dorëzohet, ne jemi brezi që flet shqip. Është amaneti i atyre që para nesh dhe përgjegjësia e atyre që do të vijnë pas nesh” tha ai në fjalimin e tij
Edhe pse gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut ka status zyrtar, provimi i jurisprudencës, i domosdoshëm për ushtrimin e profesioneve juridike si avokat, gjyqtar apo prokuror, zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase.
Studentët kanë nënshkruar edhe një peticion për këtë çështje, të cilin kryeministri Hristijan Mickoski në fillim e cilësoi të drejtë por që më pas u tërhoq nga qëndrimi duke thënë se ‘ligji nuk e lejon një gjë të tillë”
Ministria e Drejtësisë nga ana tjetër e zhvendosi debatin nga e drejta tek interpretimi duke thënë se bëhet fjalë për një provim profesional dhe jo një procedurë administrative.
Debati për gjuhën shqipe është përhapur edhe në rrafshin politik mes përfaqësuesve të partive shqiptare.
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani akuzon VMRO-DPMNE se ka një strategji të qëllimshme për të dobësuar gjuhën shqipe në institucione shtetërore. Izet Mexhiti nga Vlen argumenton se “ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake” dhe e sheh kuadrin ligjor si të paplotë.
Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kreu i lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut, Bilal Kasami përgëzoi sot studentët shqiptarë që dolën në protestë për të kërkuar mbajtjen e provimeve të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në një postim në Facebook, Kasami thotë se kërkesa e tyre është e drejtë. Ndërkohë, ai akuzoi edhe elitën milionere të pushtetit që sipas tij, u përpoq ‘të kontrabandohet në krye të kauzës së pastër studentore.”
Postimi i plotë i Kasamit në Facebook
“I përgëzoj studentët për protestën dinjitoze dhe vetëdijen e lartë qytetare që e dëshmuan sot. Kërkesa e tyre është e drejtë dhe, siç ju kam premtuar edhe në takimin tonë të parë, këtë çështje do ta zgjidhim. Për herë të parë pas pavarësisë së shtetit Provimi i Jurisprudencës do të mbahet edhe në gjuhën shqipe! Ndërsa elita milionere e ish-pushtetit, e cila tentoi të kontrabandohet në krye të kauzës së pastër studentore, sot dështoi keq. Ky popull i njeh mirë. Tinëzitë e tyre nuk kalojnë” tha ai.
AAK mbështet protestën e studentëve shqiptarë në Shkup: E drejtë legjitime, të zbatohet pa vonesë
AAK thekson se kjo situatë ngre shqetësime serioze për respektimin e të drejtave dhe për barazinë reale të shqiptarëve në sistemin arsimor.
Partia i bën thirrje institucioneve përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut që të veprojnë pa vonesë dhe të garantojnë zbatimin e të drejtave të parashikuara me ligj, duke respektuar parimin e barazisë dhe standardet kushtetuese.
‘Gjuha amtare është e drejtë, jo privilegj’, Universiteti i Tiranës në krah të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut: Duhet zgjidhje gjithëpërfshirëse
Universiteti i Tiranës ka dalë hapur në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po protestojnë për të drejtën e tyre për mbajtjen e provimeve në gjuhën shqipe.
Në një reagim zyrtar, institucioni dhe rektori Artan Hoxha theksojnë se përdorimi i gjuhës amtare në arsim dhe në vlerësimin profesional nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element bazë i barazisë në shoqëritë shumëgjuhëshe.
Universiteti i Tiranës thekson se mbështet çdo përpjekje që forcon të drejtat gjuhësore dhe garanton standarde të barabarta në arsim dhe në jetën publike, ndërsa u bën thirrje institucioneve përkatëse që të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
Deklarata e plotë e Universitetit të Tiranës
Universiteti i Tiranës shpreh mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë realizimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës së tyre amtare në proceset arsimore dhe profesionale. E drejta për t’u arsimuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element thelbësor i barazisë reale në shoqëri shumëgjuhëshe. Kur studentët ndjekin studimet e tyre në një gjuhë të caktuar, është e drejtë legjitime që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të bëhet në të njëjtën gjuhë. Kërkesa e studentëve shqiptarë për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën shqipe përfaqëson një aspiratë të drejtë për barazi, dinjitet dhe mosdiskriminim. Mosrespektimi i këtij parimi rrezikon të krijojë pengesa të panevojshme në zhvillimin profesional të tyre dhe të cenojë besimin në institucionet shtetërore. Universiteti i Tiranës mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e të drejtave gjuhësore dhe garantimin e standardeve të barabarta në arsim dhe në jetën publike. Ne inkurajojmë institucionet përkatëse që, në frymën e ligjit dhe të bashkëjetesës demokratike, të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Respektimi i diversitetit gjuhësor nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe vlerë që pasuron shoqërinë dhe forcon kohezionin social në rrugën e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian!
‘Gjuha shqipe nuk diskutohet’, Spiropali mbështet protestën e studentëve shqiptarë në Shkup: Të drejtat e tyre garantohen nga Kushtetuta
Ish Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka ofruar mbështetjen e saj për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të cilët protestojnë sot duke kërkuar që të mbajnë provimet e Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Të protestosh sot për gjuhën shqipe nuk është vetëm alarm. Është një sinjal që diçka thelbësore sërish nuk po funksionon siç duhet” shkruan ajo në një postim në rrjete sociale.
Duke insistuar që të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në letër Spiropali nënvizon me vendosmëri se gjuha shqipe nuk është çështje interpretimi por një e drejtë themelore.
Deklarata e plotë e Elisa Spiropalit në Facebook
“Kur një e drejtë që parashikohet në Kushtetutë dhe në ligj kërkohet në rrugë, atëherë lind nevoja për më shumë vëmendje dhe reflektim mbi zbatimin e saj në praktikë. Sepse të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në letër; ato duhet të jetohen në përditshmëri. Gjuha shqipe nuk është çështje diskutimi. Nuk është kompromis. Nuk është temë për interpretim të paqartë institucional. Është e drejtë themelore. Protesta e studentëve sot është më shumë se një reagim. Është një thirrje e qartë për të forcuar standardet dhe për të garantuar të drejtat themelore. Një shtet që garanton gjuhën, forcon barazinë. Dhe një shtet që forcon barazinë, ndërton besim dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e tij. Mbështetje për studentët që po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin e parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një shoqëri e drejtë. Kjo nuk është vetëm çështje e shqiptarëve. Kjo është një provë e rëndësishme për të gjithë, për mënyrën se si funksionon shteti në praktikë, jo vetëm në parim. Sidomos për dy vende mike , që ndajnë të njëjtin horizont dhe të njëjtën aspiratë europiane, respektimi i të drejtave dhe forcimi i barazisë nuk është vetëm detyrim, por edhe drejtim i përbashkët” tha Spiropali