Lideri i VV-së, Albin Kurti, ende nuk i ka bërë ftesë zyrtare kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për takim rreth çështjes së presidentit.
Ndonëse publikisht kryeministri Kurti ka bërë me dije se çelësi për zgjidhjen e ngërçit të presidentit është PDK-ja, ai ende nuk e ka ftuar Hamzën për të diskutuar rreth kësaj çështje.
Gazeta ka mësuar se deri me sot lideri i VV-së nuk e ka ftuar të parin e PDK-së për takim.
Dje Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me ftesat e kryeministrit Kurti për takime me partitë politike në funksion të zgjedhjes së presidentit të ri.
Zyra për Informimit e PDK-së ka treguar se Hamza i është përgjigjur kryeministrit Kurti, duke kërkuar që iniciativa për takim të formalizohet përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të trajtohet me seriozitet institucional.
“Kryetari Hamza i ka kthyer përgjigje z. Kurti lidhur me ftesën për takim. Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, është thënë në reagimin e Zyrës për Informim të PDK-së.
Deri me tani askush prej VV-së nuk ka dhënë ndonjë sqarim pse ende nuk është ftuar zyrtarisht Bedi Hamza në takim.
Një përgjigje të qartë nuk e ka dhënë as dje Albin Kurti.
Kur është pyetur për këtë çështje pas takimit me Abdixhikun e LDK-së, Kurti ka e ka kritikuar PDK-në.
“PDK asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër para nesh, ajo vetëm ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, kërkesat e tilla e bëjnë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje politike.
“Absolute që dy kandidatët të jenë të PDK-së dhe të verbër që të mos na tregojnë emrin paraprakisht. Kjo e bën të pamundur marrëveshjen”, është shprehur Kurti.
Edhe njohësit e rrethanave politike janë shprehur të habitur pse Kurti nuk po e fton në takim me PDK-në.
Analisti politik Dardan Sejdiu mbrëmë në “Rubikon” të Klan Kosovës ka treguar se nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është i interesuar të bashkëpunojë me Partinë Demokratike të Kosovës, çështja e presidentit është e kryer.
Sipas tij, Kurti për pesë minuat mund ta zgjidh këtë çështje.
“Problemi i presidentit është inekzistent. Problemin e presidentit e krijon ky, e sajon ky e mirëmban. Nëse ke thënë sot që me LDK-në s’bëhet kjo punë me Bedri Hamzën, me PDK-në kryhet kjo punë”, ka deklaruar ai.