Një aktivitet festiv për pashkët në veri të Gjermanisë përfundoi në tragjedi, pasi një lis rreth 30 metra i lartë u rrëzua si pasojë e erërave të forta, duke shkaktuar vdekjen e tre personave, mes tyre një foshnjë 10-muajshe.
Ngjarja ndodhi pranë zonës Satrupholm, në landin Schleswig-Holstein, ku rreth 50 persona po merrnin pjesë në një aktivitet për kërkimin e vezëve të Pashkëve, i organizuar nga një qendër sociale për nëna të reja, gra shtatzëna dhe fëmijë.
Sipas policisë, pema u rrëzua papritur rreth orës 11:00 dhe zuri poshtë katër persona. Një grua 21-vjeçare dhe një vajzë 16-vjeçare humbën jetën në vendngjarje, ndërsa foshnja 10-muajshe, vajza e 21-vjeçares, ndërroi jetë më vonë në spital. Një 18-vjeçare tjetër mbeti e plagosur rëndë dhe u transportua me helikopter për trajtim mjekësor.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë vezë Pashkësh të shpërndara në tokë, duke dëshmuar për momentin tragjik që ndërpreu një aktivitet të gëzueshëm.
Autoritetet konfirmuan se zona ishte nën paralajmërim për erëra të forta në momentin e aksidentit, ndërsa hetimet janë duke vijuar për të përcaktuar nëse pema kishte dëmtime të mëparshme apo faktorë të tjerë që ndikuan në rrëzimin e saj.
Zyrtarët rajonalë janë shprehur “thellësisht të tronditur” nga kjo ngjarje, ndërsa ekipe psikologësh janë angazhuar për të ndihmuar familjarët dhe dëshmitarët e prekur nga tragjedia.