Gjykata e Lartë ka nisur procedurën për rishikimin e praktikës gjyqësore për aplikimin e masës së sigurisë arrest me burg dhe kohëzgjatjen e tij. Kolegjet e Bashkuara u mblodhën për gati 4 orë me iniciativë të kryetarit Sokol Sadushi për ndryshimin e praktikës së njësuar të deritanishme për masat e sigurisë, i zbatuar që prej një dekade e gjysmë në Shqipëri, që prej vendimit unifikues nr. 7 të datës 14 tetor 2011. Pikërisht rregullat procedurale të vendosura në këtë vendim synohet të ndryshohen pas kësaj nisme.
Qëllimi është të sigurohet një praktikë gjyqësore më e njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, ligjore dhe ato të Konventës Evropiane për kufizimin e lirisë personale. Fillimisht ishte relatori Ilir Panda që lexoi vendimin unifikues të vitit 2011.
Sipas vendimit të ndërmjetëm të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi vendimet e gjykatave për masat e sigurisë duhet të jenë të arsyetuara, individuale dhe të plota, për të argumentuar se pse duhet ‘arrest me burg’ në vend të një mase alternative duhet të jetë gjykata ajo që të japë prova se pse duhet vazhduar një arrest me burg dhe jo e kundërta; si edhe rrezikshmëria e një personi të akuzuar që sjell automatikisht “arrestin me burg” nuk mund të caktohet vetëm nga vepra penale.
Këto standarde, sipas Gjykatës së Lartë, mbështeten drejtpërdrejt në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke sjellë edhe tre vendime për rastet “Hysa”, “Gëllçi” apo “Muçaj” kundër Shqipërisë.
Në çështjen “Gëllçi kundër Shqipërisë”, Gjykata kritikon arsyetimet e përgjithshme për rrezikun e manipulimit të provave/kërcënimit të dëshmitarëve dhe thekson se “Nuk mund të pranohet parashtrimi në mungesë të provave faktike konkrete mbështetëse ose të ndonjë indicieje për tentativën aktuale për t’u përfshirë në manipulimin e provave.”
Në çështjen Hysa, Gjykata thekson se “argumentet e gjykatave vendase në favor të dhe kundër lirimit nuk duhet të jenë të përgjithshme dhe abstrakte, por të përmbajnë referenca për fakte specifike dhe rrethana personale që justifikojnë paraburgimin e kërkuesit”.
Një tjetër element thelbësor që synohet të ndryshojë lidhet me kohëzgjatjen e arrestit me burg. Sipas qasjes së re, nuk mjafton vendimi fillestar për caktimin e masës, por për çdo zgjatje të saj gjykata duhet të japë argumente të reja përse vazhdon të jetë e nevojshme mbajtja në burg. Në këtë kuadër, Gjykata e lartë thotë se barra e provës nuk mund të mbetet mbi të akuzuarin për të provuar pse duhet liruar, por mbi prokurorinë apo gjykatën.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe prokurori Arqile Koça, i cili theksoi se barra për caktimin e masës “arrest në burg” i takon prokurorit dhe nuk mund të mbështetet vetëm mbi sjelljen e të pandehurit.
“Barra për caktimin e masës arrest në burg i takon prokurorit. Nuk mund të varet vetëm mbi provat për sjelljen e të pandehurit. Vlerësohen nga gjykata në harmoni me provat e tjera”, tha ai por paralajmëroi se një qasje tepër kategorike në këtë drejtim mund të krijojë probleme.
“Duhet të kemi parasysh, vendimi gjyqësor është ndaj një personi dhe është produkt i mbledhjes së provës dhe fakteve, jo vetëm juridik i prokurorit e gjykatës, por edhe social etj. Kam frikë se nëse do jetë kategorike do jetë shumë problematike”, u shpreh Koça.
Kjo lëvizje e Gjykatës së Lartë vjen pasi shqetësimit të ngritur vazhdimisht për situatën e paraburgimeve në Shqipëri, ku nga qeveria ka nisur procesi që të çojë në ndryshime ligjore, në një kohë kur adresimi i këtij problemi madhor është kërkuar edhe nga institucionet ndërkombëtare.
Në fund të vitit 2025, ishin 4503 prapa hekurave në Shqipëri, nga të cilët 2569 (ose 57%) ishin të paraburgosur. Pra me masë sigurie, pa një vendim të formës së prerë. Këto shifra e renditin Shqipërinë në krye të vendeve evropian për numrin e të paraburgosurve, duke ngritur alarmin në vend.
GJL: Gjyqtarët të arsyetojnë pse s’vendosin masë më të lehtë se arresti me burg! Prokuroria rezerva: Kjo qasje kategorike krijon probleme
Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë për herë të parë qëndrimin e saj në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë lidhur me ndryshimin e praktikës për arrestin me burg, duke mos e kundërshtuar vendimin e ndërmjetëm të Sokol Sadushit për rishikimin e kësaj praktike, por duke ngritur disa rezerva mbi pasojat që mund të sjellë. Prokurori Arqile Koça paralajmëroi se një qasje e përgjithshme dhe kategorike, që detyron gjykatat të arsyetojnë në çdo rast pse nuk vendosin masa më të lehta se “arresti në burg”, mund të krijojë probleme në garantimin e procesit penal, duke ngritur pyetjen se kush na “garanton që kata persona që s’do jenë në masën arrest me burg, do paraqiten në proceset gjyqësore. Sipas prokurorisë, masa e sigurisë është atribut i saj dhe mbështetet mbi provat që ajo paraqet në gjykatë.
“Barra për caktimin e masës arrest në burg i takon prokurorit. Nuk mund të varet vetëm mbi provat për sjelljen e të pandehurit. Vlerësohen nga gjykata në harmoni me provat e tjera. Duhet të kemi parasysh, vendimi gjyqësor është ndaj një personi dhe është produkt i mbledhjes së provës dhe fakteve, jo vetëm juridik i prokurorit e gjykatës, por edhe social etj. Kam frikë se nëse do jetë kategorike do jetë shumë problematike”, tha ai.
Pjesë nga diskutimet në seancë
Zv.Prokurori i Përgjithshëm Arqile Koça: Së pari duhet të evidentojmë kuadrin ligjor. Kushtetuta përcakton ndër të tjera se personi të cilit i është privuar liria, brenda 48 orëve duhet të përballet me gjykatën, më pas janë gjykatat ato të cilat marrin vendime. Arresti në burg aplikohet kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Ndërsa kur caktohet masa e arrestit në shtëpi, gjykata përcakton edhe mënyrën e ekzekutimit të saj. Në rast kur gjykata, në kundërshtim me kërkesën e prokurorit, vlerëson se mund të aplikohet një masë tjetër, gjykata të arsyetojë edhe mënyrën e zbatimit të saj, të shtohet edhe kjo pjesë. Duhet të mbajmë parasysh se një vendim gjyqësor për masën e sigurimit merret mbi bazë të debateve që zhvillohen mes palëve dhe në fund caktohet një masë sigurimi pasi vlerësohet si e tillë. Vlerësimi për caktimin e masës së sigurimit është në diskrecion të prokurorit në bazë të dyshimeve të arsyeshme.
Gjyqtari Sokol Bina pyet prokurorin: Si e kupton paragrafin e parë të nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale, që në rastin e konstatuar të rrezikshmërisë shoqërore, po ashtu edhe rrezikshmërisë së veprës, por po flasim për paragrafin e parë që ka të bëjë me sigurimin e provave pozitive, cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë pikë? Sepse vendimi unifikues i vitit 2011 këtë thotë.
Prokurori Arqile Koça: Kodi ynë i procedurës penale e ka të qartë se masa e sigurimit është në proporcion me veprën penale që dyshohet se ka kryer, pra nga rrezikshmëria e veprës penale që personi ka kryer.
Gjyqtari Enton Dhimitri: Pyetja që lind natyrshëm është se përse duhet ta ndryshojmë, pas asaj që ne kuptuam nga relacioni juaj, nëse ndryshimet e ligjit të vitit 2017 janë në bazë të standardeve europiane, atëherë pse lind nevoja për ndryshim?
Prokurori Arqile Koça: Ne marrim parasysh atë që duam të arrijmë, por të arrijmë objektivat për përmirësimin e legjislacionit.
Gjyqtari Enton Dhimitri: Barra e provës i takon prokurorit, nëse ne themi që prokurori ka për detyrë përshtatshmërinë e masave të kërkuara, pastaj gjykata ka detyrimin të arsyetojë papërshtatshmërinë apo përshtatshmërinë e masave?
Prokurori Arqile Koça: Sistemi i drejtësisë penale përbëhet nga OPGJ, prokurori dhe gjykata; nëse ne disiplinojmë gjykatën, automatikisht kemi disiplinuar prokurorin.
Gjyqtare Margarita Buhali: Në rast se gjykata i rishikon kriteret për përshtatshmëri dhe papërshtatshmëri jo vetëm në momentin fillestar, por edhe më pas për vijimin e masës, barra e provës ju kalon ju si organ akuze, edhe kur kërkohet caktimi i masës, por edhe kur kërkohet vijimi i masës.
Prokurori Arqile Koça: Çdo gjë që sjell i arrestuari do të vlerësohet në raport me provat e tjera që ka sjellë prokurori. Në lidhje me verifikimin çdo dy muaj, gjykata duhet ta rishikojë domosdoshmërinë në të gjitha aspektet, po ashtu të shikojë nëse mund të aplikohet një masë alternative. Ky vlerësim duhet të bëhet në të gjitha aspektet sa herë që kërkohet.