Pas 17 ditësh përfundon afati 34 ditor i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa deri më tani nuk shihen shenja për mundësinë e një pajtueshmërie politike për këtë çështje.
Sipas vendimit të kushtetueses, në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda afatit të përcaktuar, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Avokati Ardian Bajraktari, thotë se në situatën aktuale zgjedhjet janë të pashmangshme pasi partitë s’kanë vullnet për zgjidhje.
Sipas tij, nëse dështon zgjedhja e presidentit zgjedhjet do të mund të mbahen në fillim të qershorit.
Kam përshtypjen se me këtë qasje të subjekteve politike filluar nga VV dhe të tjerat zgjedhjet janë të pashmangshme sepse s’po vërehet se ka vullnet, s’ka gatishmëri për të gjetur konsensus, kompromis si kusht i domosdoshëm për ta shmangur këtë situatë dhe gjetur një kandidat…siç dihet e domosdoshme rundin e parë dhe të dytë të jenë 80 deputet ne sallë e dhe ne votim me këtë qasje te subjekteve politike s’kemi indikacione e do e mi zgjidhke se a do jene zgjedhjet zgjidhje këtu ka dilemë. Sipas gjitha indikacioneve bazuar në afatin e gjykatës zgjedhje në fillimi të qershorit”, tha Bajraktari për rtv21
Që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kreu i LVV-së, Albin Kurti ka zhvilluar vetëm një takim me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku por pa një rezultat.
Përfaqësues të LVV-së ndërkaq kanë thënë se gatishmëria e Abdixhikut për takime ofron një perspektivë për mundësinë e zgjedhjes së presidentit të ri.
Analisti politik, Jeton Halimi, vlerëson se Kurti do të duhej t’ia jepte këtë post opozitës konkretisht LDK-së në mënyrë që të shmangën zgjedhjet të cilat sipas tij janë të dëmshme për vendin.
Ditë më parë Kurti ka deklaruar po ashtu se do të përpiqet ta takojë edhe kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, por ky i fundit ka kërkuar nga ai që ta konkretizojë iniciativën e tij përmes ftesës zyrtare./RTV21/21Media