“Kur fiken kamerat në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, shuhen konfliktet dhe nis një tjetër komunikim mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Dialogu duket lehtësisht i mundur për t’u arritur”. Ky është këndvështrimi i deputetes Romina Kuko për gjashtë muajt e parë të saj në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Për deputeten e re, arena e madhe e politikës shpesh shkon në kufijtë e teatrit, sidomos kur objektivët e kamerave janë të pranishëm dhe shumë prej deputetëve hyjnë në rol, duke krijuar situata shpesh të panevojshme. Në një intervistë për “Tema”, Kuko flet për emocionet e fjalimit të parë, dinamikat brenda grupit parlamentar, si dhe raportet shpesh të vështira me kolegët e opozitës.
Ajo ndalet edhe tek dallimi mes deputetëve “veteranë” dhe të rinjve që hyjnë rishtas në sallë, duke evidentuar dobësitë dhe përparësitë e secilës kategori, por edhe një avantazh të dukshëm të brezit të ri në politikë. Në të njëjtën linjë, Kuko trajton modelin e grave në politikën shqiptare dhe çfarë do të dëshironte të ndryshonte në këtë rrugëtim plot sfida, marrëdhëniet me gratë deputete socialiste dhe dëshirën për të krijuar ura komunikimi me koleget e opozitës. Për deputeten e re rrugëtimi I një gruajë në politike është një akt heroik në një shoqëri ende të ndikuar nga patriarkati. “Kur një grua hyn në politikë padyshim bën një akt heroik… ne gratë e politikës duhet të jemi shëmbull në nivel komunikimi, sidomos me koleget tona të opozitës… gratë të mos “viktimizohen”, por as të ndjekin modele të vjetra patriarkale, duke krijuar një identitet të ri dhe të barabartë në jetën publike” thotë Kuko.
Kuko flet edhe për fenomenin e emigrimit dhe sfidën për kthimin e të rinjve në atdhe. Si një të rinjtë shqiptarë që ka studiuar në perendim, ajo e përshkruan jetën jashtë si një “dimër shpirtëror”, pavarësisht suksesit në studime apo karrierë, dhe thekson dëshirën e të rinjve për t’u kthyer. Krijimi i kushteve për këtë rikthim është një sfidë e mazhorancës por edhe sfidë e saj personale. Kuyko sjell si shembull potencialin e zonave të pazbuluara të Korçës ku të rinjtë korçarë mund të kthehen si sipërmarrës.
Turi “Punët e Shqipërisë” për Kukon përfaqëson një largim nga komunikimet formale në tavolina të ftohta dhe një kthim tek komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët në bazë. Në planin politik, ajo shprehet kritike ndaj mungesës së konsensusit për ligjet e integrimit. “Opozita nuk i ka votuar 22 ligjet e integrimit… ata thonë se nuk ishin të integrimit… por e kanë pasur mundësinë ta kuptojnë… të dyja palët duhet të jenë më konstruktive për projektin më të madh, atë të BE-së… duhet patjetër dialogu politik dhe unë besoj se do të jetë. Duhet të kuptojmë se nuk kemi kohë të zihemi me njëri-tjetrin, sepse kemi një shans për të mos e humbur, integrimin në BE si rruga jonë e vetme e pandryshueshme”, shprehet Kuko.