Ndonëse ishte planifikuar që përmes këmbimit të një toke të ndërtohet akuapark në Tetovë, ky proces po zvarritet për mbi dy vite e gjysmë. Nga Komuna e Tetovës arsyetohen se ende nuk është përmbyllur procedura, ndërsa nga Qeveria heshtin, shkruan Portalb.mk.
Në një nga seancat e Këshillit Komunal të Tetovës, në shtator të vitit 2023 u bë e ditur se Komuna e Tetovës do ta japë me partneritet publiko-privat për 15 vjet pishinën e mbyllur të qytetit për të ndërtuar akuapark në atë vend dhe më këmbim, kompania e përzgjedhur me thirrje publike për të ndërtuar akuaparkun, do të merr tokë prej rreth 4.500 metra katrorë, e cila gjendet afër pishinës së mbyllur.
Sipas vendimit të cilin e miratoi Këshilli Komunal dhe siç njoftoi aso kohe kryetari i Këshillit Komunal, për 15 vite me radhë ndërmarrja që do e merr me koncesion do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet.
Por, mbi dy vite e gjysmë më vonë , kjo nuk është realizuar ende dhe po zvarritet.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se ky proces ka mbetur i bllokuar, duke mos dhënë detaje se kur do të përfundojë.
“Aty janë procedura administrative të cilat janë të bllokuara. Aty ka qenë ideja e një partneriteti publiko-privat por ende nuk është e mbyllur, pra komuna në këtë rast për shkak se më shumë bëhet fjalë për akuapark zbavitës që nuk e ka elementin e obligimit të komunës për përkujdesje të sportit dhe këtyre aspekteve. Ishte e paraparë të jetë kombinim i partneritetit privato-publik por ende nuk kemi pëlqim nga qeveria për të vazhduar procedurën. Ende ka mbetur në labirintet e institucioneve. Përndryshe Komuna e Tetovës nuk ka të parapara dhe nuk ka mjete që me mjete publike ta realizojë të njëjtën”, tha Kasami.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske të Portalb.mk për këtë çështje.
Siç kanë sqaruar nga komuna më herët, investimi në pishinën e hapur pritet të kapë shumën mbi 1.2 milionë euro ndërsa investimi në pishinën e mbyllur në vlerë 370 mijë euro.
Lidhur me këtë nismë, këshilltarët komunal nga opozita kanë kritikuar se ky investim nuk është i arsyeshëm nga ana financiare.