Marrëveshja përmes së cilës Kosova u bë pjesë e Bordit të Paqes ende nuk është ratifikuar në Kuvend, ndonëse kanë kaluar gati tre muaj që nga vënia e nënshkrimit Presidentes së Kosovës, në deklaratën, pjesë e të cilës u bënë rreth 50 shtete të tjera. Deputetë të Kuvendit presin marrëveshja të vendoset së shpejti në shqyrtim.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se marrëveshja pritet të shqyrtohet javën e ardhshme.
“Besoj që gjatë javës së ardhshme, komisioni do ta shqyrtojë. Sapo të shqyrtohet, do të na vijë në Kuvend dhe do ta trajtojmë”, ka deklaruar Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Arbërie Nagavci, për RTV Dukagjini.
Por, ende nuk kanë qëndrim pro ose kundër.
“Nuk e kemi diskutuar ende. E shohim, e diskutojmë”, ka thënë Arbër Rexhaj, deputet i Vetëvendosjes.
Së shpejti e presin marrëveshjen edhe nga LDK.
“Na vjen besoj javën e ardhme. Këto ditë besoj, por nuk varet prej neve”, ka thënë Ermal Sadiku, deputet i LDK-së.
Edhe më e rëndësishme konsiderohet për faktin që derivon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“I shohim mendimet e deputetëve. …Krejt çka është me Amerikë, është urgjente”, ka thënë Emilia Rexhepi.
Me përfundimin e seancave të së premtes, ende nuk ka konfirmim se kur mund të zhvillohet seanca plenare e radhës, në të cilën eventualisht do të vendosej marrëveshja në rend të ditës.
Bordi do të mbikëqyrë rindërtimin e Gazës dhe do të kërkojë zgjidhjen e konflikteve globale.
Osmani e kishte cilësuar si historike këtë marrëveshje.
“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit”, kishte deklaruar Osmani.