Sot mbahen punimet e ditës së fundit të edicionit të katërt të samitit të diasporës në Tiranë që bëri bashkë shqiptarë nga 38 vende të botës.
Sipas axhendës zyrtare të publikuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të diskutojnë dhe të eksplorojnë fusha të ndryshme të interesit, përfshirë ekonominë, inovacionin, arsimin, shëndetësinë, artin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Aktiviteti në Pallatin e Kongreseve nis me një moment reflektimi dhe bashkimi shpirtëror, ku përfaqësues të komuniteteve fetare nga të gjitha besimet mblidhen për të ndarë mesazhe paqeje, harmonie dhe shprese.
Më tej aktiviteti pason te roli i diasporës shqiptare si një aktor strategjik në përshpejtimin e integrimit evropian, trashëgimisë së pasur kulturore, historike dhe gjuhësore të komuniteteve arbëreshe, promovimi i identitetit kombëtar në diasporë, kontributit të diasporës shqiptare në forcimin e hallkave që lidhin prodhimin bujqësor me tavolinën, nga fusha dhe sera, tek agropërpunimi, agrobiznesi, bujtinat dhe restorantet ndërkombëtare.
Samiti i Diasporës ngriti siparin dy ditë më parë. Në ceremoninë e mirëseardhjes, e cila u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, krerë të komuniteteve fetare, ministra, deputetë, drejtues të institucioneve të shtetit, si dhe personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, duke i dhënë ngjarjes përmasa të një feste të vërtetë kombëtare.