Të shtëna me armë zjarri kanë ndodhur mbrëmjen e sotme në Memaliaj të Tepelenës.
Burime për Report Tv bëjnë të ditur se si pasojë e të shtënave ka humbur jetën 33-vjeçari Endri Goxhaj.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes dy personave (të cilët kishin një konflikt të mëparshëm), i cili ka degjeneruar në shkrehjen e armës së zjarrit nga agresori Dario Nelaj.
Krimi ka ndodhur para lokalit të shtetasit S.K, afër qendrës së Memaliajt. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është vënë në ndjekje të autorit, i cili pas vrasjes, edhe pse ka mbetur i plagosur me armë zjarri, është larguar në drejtim të paditur.
Ndërkohë grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe dokumentimin e krimit.
——————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë