Të nderuar profesorë, akademikë, staf universitar,
Të dashur student, të pranishëm dhe miq të librit,
Kam kënaqësi të veçantë që sot po shënojmë në Kuvend, një ditë kaq simbolike si Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të Drejtave të Autorit.
Ndonëse në Kuvend jemi mësuar të flasim për ligje dhe për procedura ligjore, mund të them me sinqeritet se kënaqësia është e një natyre tjetër kur në këtë sallë flasim për librin, atë njësi themelore ku merr formë mendimi njerëzor.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse pikërisht nga libri burojnë, përpunohen dhe krijojnë qëndrueshmëri mendimet e idetë. Për Kuvendin dhe deputetët është me rëndësi, sepse mendimet dhe idetë e qëndrueshme na çojnë tek zgjidhjet e qëndrueshme për qytetarët. Prandaj, sa herë që hapim këtë hapësire institucionale për librin, nuk nënkupton që po i largohemi funksionit real, përkundrazi, po i rikthehemi atij në formën më të pastër, tek reflektimi dhe mendimi.
Për një njeri, jeta e të cilit ka kaluar përmes fletave të librave, shtëpive botuese, redaksisë dhe përmes proceseve ku dorëshkrimi kalon nga një ide në një formë të prekshme, është shumë e vështirë të përmbledh në pak minuta kuptimin dhe rolin e një libri. Kjo përvojë e jetës më ka mësuar se libri nuk është produkt, por rezultat i një dialogu të gjatë midis autorit dhe lexuesit. Është një akt besimi se fjala e shkruar do të gjejë adresën e saj.
Pashë një herë një citat (Harvey Mackay) që thoshte “Jeta e një njeriu ndryshon ne dy mënyra: përmes njerëzve të cilët rrimë dhe përmes librave që lexojmë”.
Vënia në një paralele e njerëzve dhe e librit nuk besoj të jetë e rastësishme, sepse libri në vete është një prani e fortë njerëzore. Leximi i librave është ndonjëherë siç e përshkruante Dekarti, bashkëbisedim me mendjet e ndritura të shekujve, është shpesh siç e përshkruante Uberto Eco, udhëtim në kohë ose kthim në pafundësi, sepse është një formë e përqendruar e përvojës njerëzore që vazhdon të jetojë përtej autorit, përtej kohës së
shkrimit, madje edhe përtej momentit të leximit.
Gjithë ata që lexojnë, e dinë se librat nuk përfundojnë ndikim e tyre kur mbyllen, përkundrazi, pikërisht atëherë fillojnë të punojnë brenda nesh.
Sepse ekziston një raport i veçantë mes librit dhe lexuesit. Një raport që nuk është gjithmonë i menjëhershëm. Libri komunikon me ne edhe kur nuk e kemi në duar. Ndoshta ai qëndron në raft, i heshtur, por është i pranishëm tek ne, si një kujtesë, si një mundësi, si një dialog i pezulluar që pret të rifillojë. Dhe kjo marrëdhënie nuk është lineare; ajo është e thellë, intime dhe e papërkthyeshme në fjalë.
Edhe në këtë kohë kur komunikimi është i shpejtë dhe i fragmentuar, ndajë bindje që ndjesia që një tekst i shkruar lë tek ne nuk depërton njësoj përmes ekranit. Ka diçka në aromën e librit, në ritmin e faqes dhe në heshtjen që e rrethon, e cila e bën përvojën më reflektuese dhe më kuptimplotë.
Të dashur të pranishëm,
Kuvendi, në kuadër të kompetencave të tij, bën përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e rregullativës ligjore në mbrojtje të të drejtave të autorit, në mbështetje të krijuesve dhe në krijimin e hapësirave ku fjala e shkruar mund të zhvillohet me dinjitet. Kjo ngjarje është
gjithashtu shprehje e përkushtimit tonë për promovimin e librit dhe kulturës së leximit. Si Kryetar i Kuvendit, po bëj përpjekje në projektimin e një biblioteke dinjitoze të Kuvendit, e cila synohet të jetë një hapësirë e gjallë e mendimit, një pikë takimi mes dijes dhe vendimmarrjes, ku libri nuk qëndron si dekor institucional, por si busullë orientimi.
Megjithatë, mesazhin kryesor dua t’ua përçoj studentëve.
Nëse nuk dëshironi të ngelni prapa, vazhdoni të mësoni dhe lexoni.
Ajnshtajni thoshte se “Kur ndaloni së mësuari, pushoni së jetuari”, unë para kësaj do shtoja, “kur ndaloni së lexuari, ju pushoni së menduari”, e kur jemi te të menduarit vijmë te një kolos tjetër i dijes, Dekarti i cili thoshte: “Mendoj, pra ekzistoj”.
E di se në këtë fazë të jetës do lexoni libra nga të cilët doni të përfitoni njohuri, do filloni të lexoni libra me sy kritik për të zhvilluar mendimin, por veç këtyre është gjithmonë me rëndësi të lexoni me pjekuri. Jo si lexues i thjeshtë, jo si kritik, por si bashkëkrijues. Le të ju shërbej libri si pikënisje për mendime e ide të reja.



