Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka reaguar pas gjuhës fyese të deputetit të VV-së, Fatos Geci ndaj deputetes Vlora Çitaku.
Deliu, në një shkrim në Facebook ka thënë se Çitaku nuk ka nevojë për mbrojtje.
“Vlora nuk ka nevojë për mbrojtje, ajo është forcë, standard dhe dinjitet në vetvete. Ajo i ka kaluar prej kohësh paragjykimet dhe stereotipet, dhe sot qëndron si shembull frymëzimi për çdo vajzë dhe grua në Kosovë.
Andaj, përpjekja për ta zhvendosur vëmendjen nga deklaratat malicioze për dënimin e Hashim Thaçi te debati për seksizmin është e qëllimshme. Nuk është reagim, është shmangie. Sepse problemi nuk është vetëm një fjali, por një mendësi që përsëritet”, ka shkruar ajo.
Deliu ka shtuar se Kuvendi duhet të reagojë për deputeten Çitaku:
“Po, Kuvendi duhet të reagojë nesër edhe për Vlorën. Të vendosë kufij për ofendues kronik dhe t’i thotë stop këtij mentaliteti. Jo për Vlorën, por për vajzat dhe gratë anekënd vendit që përballen çdo ditë me forma të ndryshme të dhunës.
Por mbi të gjitha, Kuvendi duhet të përballet me nivelin ku ka rënë: kur në zemër të tij kërkohet dënim i përjetshëm për ata që e kanë themeluar atë institucion.
Është në dorën e Kryetares së Kuvendit dhe të secilit deputet që nesër të flasin zëshëm, në mbrojtje të luftës çlirimtare dhe të atyre që e bënë të mundur këtë shtet.