Nipi i akademikut Valjet Rexhepi thotë se është kryer edhe përcjellja e tij për në banesën e fundit. Ndër të tjera ai thekson se Qosja kishte lënë amanet që të mos organizohej ceremoni pritjeje nga familja.
Ai shton gjithashtu se familjarët nuk do të marrin pjesë në organizime institucionale.
“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.
Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.
Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi”, thuhet në njoftimin e publikuar nga nipi Valjet Rexhepi.
I lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj (Mal i Zi), Qosja u formua si një nga intelektualët më të spikatur në Shqipëri, duke ndërtuar një karrierë të gjatë në fushën e studimeve letrare dhe publicistikës.
Veprimtaria e Rexhep Qosjes u shtri në disa fusha, duke përfshirë kritikën letrare, studimet shkencore, romanin dhe esenë. Ai është autor veprash që kanë ndikuar në mënyrën si lexohet dhe interpretohet letërsia shqipe.
Ndër veprat më të njohura të tij përmendet romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, si dhe studime të shumta mbi historinë e letërsisë dhe figurat kryesore të saj. Në punën e tij shkencore, Qosja është marrë gjerësisht me analiza mbi autorë të rëndësishëm si Naim Frashëri dhe Ismail Kadare, duke kontribuar në thellimin e kritikës letrare shqiptare.
Përveç veprimtarisë akademike, Rexhep Qosja është njohur edhe si një nga zërat më të fortë dhe shpesh polemikë në debatet publike shqiptare. Ai ka trajtuar çështje që lidhen me identitetin kombëtar, historinë, kulturën dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri.
Ndarja nga jeta e Rexhep Qosjes Akademia e Shkencave: Humbje madhe për kulturën dhe albanologjinë shqiptare
Foto: Rexhep Qosja
Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shprehur ngushëllimët për ndarjen nga jeta të akademikut, studiuesit dhe shkrimtarit të shquar Rexhep Qosja
Përmes një njoftimi zyrtar Akademia e Shkencave thekson se ndarja nga jeta e Qosjes është një humbje e madhe për kulturën, shkencën dhe kombin shqiptar.
Në reagim theksohet se Qosja ishte një nga mendimtarët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XX-XXI, autor i dhjetëra veprave në kritikë letrare, histori, romane e publicistikë.
Reagimi i Akademisë së Shkencave:
Me dhimbje të thellë kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njofton se ka ndërruar jetë akademiku, studiuesi dhe shkrimtari i shquar Rexhep Qosja, një prej figurave më të rëndësishme të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar. Akademia e shkencave e Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjarët, miqtë dhe kolegëve për ndarjen nga jeta e akademikut të shquar shqiptar Rexhep Qosja. Rexhep Qosja ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Mali të Zi.
Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959-n mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960-n u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ku u diplomua më 1964-ën. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 u specializua për shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969-n u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972-shin, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare “Jeta e Re”.
Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.”, etj. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.
Karrierën akademike e zhvilloi si studiues dhe profesor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Punoi si drejtor i Institutit Albanologjik për disa mandate. Ai ishte një nga figurat qendrore të studimeve albanologjike. Një nga mendimtarët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XX–XXI, autor i dhjetëra veprave në kritikë letrare, histori, romane e publicistikë.
Akademik Rexhep Qosja u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në fushën e letërsisë, kritikës letrare, historiografisë dhe publicistikës shqiptare. Ai ishte një zë i fuqishëm i mendimit kritik dhe një mbrojtës i palodhur i çështjes kombëtare. Krijimtaria e tij letare dhe shkencore përfshin vepra në fusha të ndryshme si kritikë letrare, studime historike dhe kulturore, romane dhe ese, publicistikë politike dhe kombëtare, shkrime dhe analiza mbi identitetin kombëtar shqiptar.
Ndër veprat më të njohura të akad. Qosjes janë “Historia e letërsisë shqipe”, “Populli i ndaluar”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.
Është vlerësuar me çmime të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare. Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës (1968); me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972-shin dhe 1974-ën dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”.
Ai mbetet një nga mendimtarët më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX–XXI, si mbrojtës i identitetit kulturor dhe gjuhësor shqiptar dhe si një zë i rëndësishëm në debatet politike dhe kombëtare. Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja është një humbje e madhe për kulturën, shkencën dhe kombin shqiptar. Akademia e Shkencave e Shqipërisë do ta kujtojë gjithmonë akademik Rexhep Qosjen si një mendje të ndritur, një zë të fuqishëm dhe një personalitet të pazëvendësueshëm të kulturës sonë kombëtare.
Emri dhe vepra e tij do të jetojnë përherë në kujtesën shkencore, letrare dhe shoqërore mbarëkombëtare.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.
Shuhet Rexhep Qosja, reagon Edi Rama: Lamtumirë shqiptar i mirë
“Lamtumirë shqiptar i mirë, Ngushëllime vëllazërore familjes, të afërmve e miqve të Profesor Rexhep Qoses” shkroi ai në rrjete sociale
U shua në moshën 89-vjeçare, kush ishte akademiku Rexhep Qosja! Jeta dhe veprat
Akademiku Rexhep Qosja është shuar në moshën 89-vjeçare. Ai ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit intelektual shqiptar. Ai ka qenë profesor dhe drejtues studimesh në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ishte edhe drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981
I lindur në vitin 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, Qosja arsimin fillor e nisi në vendlindje dhe e vazhdoi në Guci. Në vitin 1959 përfundoi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa një vit më vonë u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku diplomoi më 1964. Rruga e tij akademike vazhdoi me angazhimin në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku u pranua si asistent në vitin 1967 dhe më pas u ngrit në nivelet më të larta shkencore.
Gjatë viteve 1967–1968 u specializua për shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit, ndërsa në vitin 1971 mbrojti doktoratën mbi jetën dhe veprën e poetit Asdreni. Pas kësaj, ai u bë bashkëpunëtor i lartë dhe këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Nga viti 1972 deri më 1981 drejtoi Institutin Albanologjik, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve albanologjike.
Qosja ishte autor i mbi tridhjetë librave që përfshijnë studime letrare, kritikë, romane, tregime, drama dhe publicistikë. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Anatomia e kulturës” dhe romani “Bijtë e askujt”, për të cilin u nderua me çmimin “Pjetër Bogdani” në vitin 2010. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe kanë qenë objekt studimi në qarqe akademike.
Për kontributin e tij të çmuar, ai u nderua me shumë çmime, përfshirë çmimin “Nderi i Kombit” nga Republika e Shqipërisë në vitin 2000. Përveç veprimtarisë shkencore e letrare, ai ishte i angazhuar edhe në jetën politike të Kosovës, duke drejtuar një parti në periudhën 1998–2000.
Akademiku Rexhep Qosja u nda nga jeta, Kuvendi i Kosovës mban 1 minutë heshtje (VIDEO)