Më 3 nëntor të vitit 1992 ishte mbajtur një “Orë historie për dëshmorët”, ku dy folësit kryesorë ishin akademik Rexhep Qosja dhe lideri studentor i asaj kohe, Hashim Thaçi, shkruan Demokracia.com.
Gazeta “Bujku” kishte raportuar se kjo orë historie i ishte kushtuar dy heronjve, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut.
“Shoqata e historianëve të rinj të Kosovës, dje në Institutin Albanologjik, organizoi një orë përkujtimore historiko-letrare për nder të trevjetorit të rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu. Pasi iu bënë nderime me një minutë heshtjeje për jetën e dy dëshmorëve, folën Hashim Thaçi dhe Osman Shahini”, thuhet në raportimin e gazetës “Bujku”.
Në vazhdim, sipas raportimit të gazetës “Bujku”, kishte folur akademik Rexhep Qosja, i cili kishte thënë se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu u vranë me qëllim që të vritej ideali i lirisë dhe i pavarësisë.
“Në vazhdim, akademik dr. Rexhep Qosja, duke folur për rrugën jetësore të këtyre dëshmorëve dhe lëvizjen gjithëpopullore, tha se ata i vranë me qëllim që të vrasin idealin e tyre, idealin e lirisë dhe të pavarësisë, por nuk ka armë, polici e ushtri që mund të vrasë gjakimin e popullit drejt lirisë. Ai në vazhdim tha se ‘sot jemi të pushtuar, por jo edhe të përkulur e të nënshtruar; të brengosur, por jo edhe të dëshpëruar, sepse, sado e vështirë të jetë, populli di dhe do ta gjejë rrugën drejt lirisë’”, thuhet në gazetën “Bujku”.
Hashim Thaçi, si lider studentor, vazhdimisht kishte shkruar për Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun dhe Fadil Vatën edhe në një gazetë tjetër.
Në këtë tekst, Afrim Zhitia portretizohet jo thjesht si një aktivist politik i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LRPK), por si një simbol i rezistencës heroike dhe i martirizimit për liri. Ai, bashkë me shokun e burgut, Fadil Vatën, hartuan plane për rezistencë. Po ashtu, theksohet sakrifica e hershme e Zhitisë dhe bashkëveprimtarit Fahri Fazliu kundër regjimit serb, e cila kulmoi me rezistencën e armatosur më 2 nëntor 1989, ku edhe ranë heroikisht.
“Në Kodër të Diellit luftuan dy zemra të brumosura me idealin e lartë në luftë për çlirim nga pushtuesi; ranë dy trima, pushuan dy zemra, por nuk pushoi lufta. Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, me veprën e tyre heroike dhe të pavdekshme, vetëm sa e frymëzuan dhe fuqizuan rininë për të dalë dhe për të rezistuar edhe më fuqishëm, për të vazhduar amanetin e tyre, i cili ishte: përpjekje dhe qëndresë deri në çlirim”, kishte shkruar Thaçi në vitin 1992.