Në kuadër të projektit “Siguria dhe Etika Digjitale” të Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, i mbështetur nga Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar (QMEQ) – Shkup, u realizua një trajnim me nxënësit e SHMK Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” – Tetovë, me temë “Siguria digjitale”.
Aktiviteti u hap me fjalë përshëndetëse nga dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, drejtori i SHMK Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” – Tetovë, Prof. Jeton Kamberi, si dhe drejtori i Qendrës Maqedonase për Edukim Qytetar (QMEQ) – Shkup, z. Besnik Ramadani. Në fjalët e tyre u theksua rëndësia e trajtimit të temave që lidhen me përdorimin e sigurt, të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm të teknologjisë dhe internetit nga të rinjtë.
Pas pjesës hyrëse, trajnimin e zhvilloi Prof. Dr. Florim Idrizi, profesor dhe dekan në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, i cili me nxënësit e gjimnazit trajtoi çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë digjitale, mbrojtjen në hapësirën online, vetëdijesimin për rreziqet e internetit dhe format e sjelljes së sigurt në mjedisin digjital.
Trajnimi u mbajt në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, në formë ndërvepruese, duke përfshirë diskutime, punëtori dhe punë në grupe, me pjesëmarrje aktive të nxënësve gjatë gjithë aktivitetit. Përmes këtij angazhimi, nxënësit patën mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre mbi rëndësinë e sigurisë digjitale në jetën e përditshme.
Ky aktivitet përbën një nga hapat e parë në realizimin e projektit “Siguria dhe Etika Digjitale”, i cili synon promovimin e kulturës së përdorimit të sigurt, etik dhe të përgjegjshëm të teknologjisë te nxënësit dhe studentët.
Në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës u mbajt trajnim për sigurinë digjitale
4