Në Pallatin e Kongreseve zhvillohet finalja e Festivalit Kombëtar të Shkencës, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama. Ky festival është një nismë e Ministrisë së Arsimit që ka përfshirë mbi 6 mijë nxënës nga 300 gjimnaze në mbarë vendin, të cilët kanë prezantuar projekte kërkimore, eksperimente, prototipe inxhinierike dhe zgjidhje digjitale.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vizitoi nga afër të gjitha stendat e gjimnazeve me projektet e tyre inovative.
“Një udhëtim që nisi me një ide, mori jetë në laboratorët e gjimnazeve dhe sot kthehet në një produkt që i shërben shoqërisë,” u shpreh Rama, duke vlerësuar angazhimin e nxënësve dhe mësuesve në këtë nismë.
Festivali synon të shndërrojë shkollat në qendra krijimtarie dhe inovacioni, duke krijuar hapësira të strukturuara ku nxënësit prezantojnë ide dhe produkte shkencore. Përmes këtij aktiviteti synohet rritja e interesit të të rinjve për shkencën dhe teknologjinë, zhvillimi i aftësive analitike dhe komunikuese, si dhe forcimi i lidhjes ndërmjet arsimit parauniversitar, universiteteve, institucioneve kërkimore dhe sektorit privat.