Vendimi i Gjykatës Speciale për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish- krerët e UÇK-së, ka ngjallur reagime të shumta.
Afati për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është shtyrë deri më 20 korrik 2026, duke shtuar pasigurinë rreth një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore që lidhen me luftën në Kosovë.
Sipas konfirmimeve zyrtare nga gjykata, trupi gjykues ka vendosur të zgjasë afatin për shpalljen e vendimit edhe për 60 ditë shtesë, për shkak të kompleksitetit të lëndës, e cila përfshin mijëra faqe dokumente dhe qindra dëshmi.
Zëdhënësja e kësaj gjykate ka sqaruar se data 20 korrik nuk është domosdoshmërisht dita kur do të shpallet aktgjykimi, por përfaqëson afatin maksimal brenda të cilit vendimi mund të bëhet publik.
Madje, nuk përjashtohet mundësia e një shtyrjeje tjetër nëse konsiderohet e nevojshme.
Fillimisht, vendimi ishte paraparë të shpallej më 19 maj, brenda afateve standarde procedurale prej 90 ditësh pas përfundimit të gjykimit.
Megjithatë, rregullorja e gjykatës lejon zgjatje shtesë në raste të ndërlikuara, siç konsiderohet edhe ky proces.
Platforma “Liria ka emër”, që avokon për të akuzuarit në Hagë, ka reaguar, duke e konsideruar këtë vendim si zgjatje të padrejtësisë.
Sipas kësaj organizate, kjo praktikë nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për gjykim brenda afatit të arsyeshëm.
“Kjo praktikë e vazhdueshme e vonesave të paarsyeshme nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si një degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm. Ky proces që po zvarritet për vite të tëra, me shtyrje të përsëritura, e ka humbur tërësisht kredibilitetin dhe është shndërruar tashmë në mekanizëm që prodhon padrejtësi të vazhdueshme. Mbajtja e ish-krerëve të UÇK-së për gati gjashtë vjet në paraburgim bie ndesh me çdo standard të drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave themelore të njeriut”, thuhet në reagim.
Sipas kësaj organizate, vendime të tilla dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, duke krijuar perceptimin e një procesi të zvarritur, të pabalancuar dhe të papërgjegjshëm.
Ka reaguar edhe Partia Demokratike (PDK), dy ish-kryetarë të së cilës janë pjesë e procesit – Thaçi dhe Veseli.
Në reagimin e PDK-së thuhet se vonesa është dëshmi që procesi i stërzgjatur ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në proces të ndikuar nga kalkulimet politike.
“Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vjetësh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”, thuhet në njoftim.
PDK-ja i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.
“PDK-ja mbetet e palëkundur në bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon një vendim përfundimtar, pa vonesa të mëtejshme, i cili do të mundësojë rikthimin e tyre në Kosovë”, thuhet më tej në reagim.
E, gjatë ditës, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u është drejtuar me letër përmes kanaleve diplomatike sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së dhe shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke ua përcjellë raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe duke ngritur shqetësime serioze mbi bazën e gjetjeve të tij. Njëkohësisht, letra u është përcjellë edhe ministrave të Jashtëm të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë.
Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, raporti është shpërndarë gjithashtu te zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe drejtues të Këshillit të Evropës.
Në letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime për garantimin e një gjykimi të drejtë në procedurat e Dhomave të Specializuara, duke iu referuar gjetjeve të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales”. Ai ka theksuar se institucioni që drejton ka monitoruar vazhdimisht respektimin e të drejtave themelore dhe kushtet e të paraburgosurve, ndërsa për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme ka angazhuar BHRC-në për një vlerësim të pavarur.
Sipas raportit, janë identifikuar probleme serioze në mbrojtjen e garancive procedurale, veçanërisht në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm.
“Në këtë kontekst, rikujtohet se këto standarde janë të garantuara nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat zbatohen drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës përmes Kushtetutës”, thuhet në njoftim.
Qelaj ka theksuar se respektimi i këtyre parimeve është thelbësor për legjitimitetin dhe besueshmërinë e proceseve gjyqësore, dhe ka kërkuar që praktikat e gjykatës të përputhen plotësisht me standardet më të larta ndërkombëtare të drejtësisë, transparencës dhe pavarësisë.
Ai ka thënë se adresimi i shqetësimeve të evidentuara është i domosdoshëm jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve, por edhe për ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor.
Avokati i Popullit ka rikujtuar “angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit”, duke theksuar se themelimi i Dhomave të Specializuara në Hagë është bërë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe legjislacionit përkatës. Ai ka veçuar gjithashtu faktin se përfaqësues të lartë politikë të Kosovës janë dorëzuar vullnetarisht për t’u përballur me drejtësinë, si dëshmi e përkushtimit institucional ndaj llogaridhënies dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
E, gjatë ditës, në Gjykatën Speciale është dorëzuar peticioni me 200 mijë nënshkrime me kërkesën “Drejtësi për çlirimtarët”, ka konfirmuar kryetari i Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
“Ky nuk është thjesht një peticion, është vullneti i pastër i një kombi që nuk e harron sakrificën. Me besimin e palëkundur te lufta e pastër e UÇK-së, urojmë dhe shpresojmë që këtë verë dielli të lindë ndryshe me krerët tanë në shtëpi, aty ku e kanë vendin, në Kosovën e lirë!” ka shkruar Gucati në Facbook tek e ka publikuar momentin e dorëzimit të peticionit në gjykatën në Hagë.
Peticioni online u nis më 25 shkurt.
Nëpërmjet tij bëhet thirrje për proces të drejtë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Veseli e Krasniqi dhe ish-deputeti Selimi kanë paraqitur fjalët finale më 18 shkurt. Ata përcollën mesazhin se luftuan për liri dhe se drejtësia duhet të bazohet në të vërtetën, e jo në narrativat e kundërshtarëve dhe të Prokurorisë.
Thaçi i ka thënë trupit gjykues se armik e kishte vetëm kasapin e Ballkanit.
“I vetmi kundërshtar i imi dhe i botës demokratike ishte Sllobodan Millosheviqi”, ka deklaruar ai në gjykatore, dhe ka theksuar se në luftë as që mund të ëndërronte ta shtrinte pushtetin në të gjithë Kosovën siç pretendon prokuroria, e cila përgjegjësinë për krimet e pretenduara nga pjesëtarë të UÇK-së ia ka faturuar katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.
“U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Për çfarë kontrolli është fjala? Kush? Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Slobodan Millosheviqit. Të askujt tjetër”, ka thënë ai.
Sikurse Hashim Thaçi, edhe Veseli ka theksuar se është kthyer nga mërgimi në Kosovë. Ai ka shprehur besimin se trupi gjykues do të vendosë drejt.
E, gjatë fjalës së tij, Selimi iu referua në disa raste pretendimeve të prokurorisë. Ato i gjykoi si të pabaza dhe tha se organi i akuzës synon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Edhe Krasniqi ka thënë se akuzat ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së janë të ngjashme me narrativat e atyre që i shtypën shqiptarët.
Shpallja e afatit të ri për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës është komentuar edhe nga ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku.
Ai ka thënë shkurt për FrontOnline se është mirë që këtij procesi po i vjen fundi.
‘’Mirë që këtij procesi po i vjen fundi’’, tha shkurt Lushtaku.
Pas shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës, është deklaruar veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Jashari.
Ai ka thënë se kjo situatë është e papranueshme dhe shqetësuese, duke shtuar se, sipas tij, çdo ditë po forcohet bindja se bëhet fjalë për një gjykim politik.
‘’ Po për neve si organizata të dala nga lufta është e pa pranueshme shqetësuese dhe cdo ditë po faktohet se ky është gjykim politik’’, tha Jashari
Jashari u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë, por edhe atyre vendore, që të japin kontributin e tyre për, vendosjen e drejtësisë.
‘’Dhe iu bëjmë thirrje edhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare po institucioneve të vendit që të japin kontributin e tyre të ndajnë drejtësi’’, tha Jashari.
Sipas Jasharit , krerët e UÇK-së duhet të lirohen, ndërsa ka akuzuar se kjo gjykatë synon të godasë luftën e UÇK-së. Ai ka thënë se nëse ndodh dënimi i tyre, atëherë, sipas tij, nuk do të bëhej fjalë për drejtësi.
‘’ Krerët duhet të lirohen, tendencat ajo gjykatë i ka të godasë luftën e UCK-së dhe nëse ndodh kjo që të goditet lufta e që krerët të dënohen , kjo nuk është më drejtësi sepse është e papranueshme që të dënohen ata’’, deklaron veterani i UÇK-së.
Jashari ka shtuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe me qëllim çlirimin e vendit, duke thënë se përgjegjësit për krime, sipas tij, duhet kërkuar te forcat serbe të kohës, të cilat, sipas tij, do të duhej të përballeshin me drejtësinë.
‘’ Dihet se lufta e UÇK ka qenë e pastër që ka pasur qëllim të largojë armikun nga trojet tona. Dihet kush ka bërë krime, kanë bërë ushtria dhe policia serbe në Kosovë dhe ata do të duhej të dilnin para drejtësisë e të përballeshin me drejtësinë e jo ushtria jonë çlirimtare’’, tha Jashari për Front Online.
Ish-ushtarja e UÇK-së, Time Kadrijaj, është deklaruar pas shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ajo e ka cilësuar këtë shtyrje si të panevojshme dhe të palogjikshme, duke theksuar se që nga fillimi e ka parë këtë proces si politik dhe të bazuar, sipas saj, në dokumente të pa faktuara.
‘’Besoj se kjo shtyrje e afatit ka qenë e panevojshme dhe e palogjikshme. Nga fillimi kam thënë që është një proces politik i bazuar në dokumente të pa faktuara ‘’, tha Kadrijaj për FrontOnline.
Kadrijaj ka thënë se shpreson që procesi të përfundojë sa më shpejt dhe me një epilog pozitiv për të akuzuarit, duke kërkuar lirimin e krerëve të UÇK-së.
‘’Shpresoj që procesi të përfundojë sa më shpejtë dhe sa më mirë dhe të lirohen krerët e UCK-së sepse mendoj që ky është një proces politik, kjo është dëshmuar edhe nga gjykimi’’, tha ish ushtarja e UCK-së.
Sipas Kadrijaj, lufta e UÇK-së ka qenë çlirimtare, duke përmendur edhe rastet e mëhershme të Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, të cilët, siç u shpreh ajo, kanë dëshmuar në fund karakterin e drejtë të luftës.
‘’Lufta e UCK-së ka qenë luftë çlirimtare njëjte kaq ndodhë edhe me rastin e Limajt ,Haradinaj e bashkëluftëtareve të tjerë të cilët në fund e kanë dëshmuar që është bërë luftë e drejtë e çlirimtare ‘’, tha Kadrijaj.
Pas shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ka reaguar edhe kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Xhevdet Qeriqi.
Ai ka thënë për FrontOnline se vendimi për shtyrjen e aktgjykimit për katërshen e UÇK-së e sheh si vendim politik.
‘’Të them të drejtën vendimin për shtyrjen e vendimit për katërshen e UK-së e kam pa si vendim politik ‘’, tha Qeriqi.
Sipas Qeriqit, nuk ka pasur arsye që vendimi të shtyhet më tej, pasi gjyqtarët kanë qenë gjatë gjithë procesit të informuar për zhvillimet në seanca dhe i kanë ndjekur ato nga afër.
Ai ka thënë se afati prej tre muajsh ka qenë i mjaftueshëm që lënda të shqyrtohej dhe të merrej vendimi përfundimtar, duke shtuar se zvarritja e mëtejshme, sipas tij, nuk është e arsyeshme.
‘’ Nuk ka pas arsye të shtyhet më gjatë, sepse gjyqtarët kanë qenë gjatë gjithë procesit të njoftuar mbi seancat dhe i kanë përcjellë ato , kështu që ka qenë e mjaftueshme për 3 muaj të shqyrtohet lënda e të merret vendimi përfundimtar’’, tha kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës