Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, deklaroi se kanë identifikuar raste kur produkte të qumështit të shitura në treg nuk e pasqyrojnë saktë përbërjen e tyre, mes dyshimeve për përdorim të qumështit pluhur dhe vajit të palmës si zëvendësues të qumështit të freskët dhe yndyrave shtazore, raporton Kallxo.
Muja tha se pezullohet përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur në përpunimin e produkteve të qumështit deri në krijimin e një kuadri të ri rregullativ nga AUV-i.
Sipas tij, sektori i qumështit po përballet me “presione të jashtme”, duke përmendur rritjen e importeve të qumështit pluhur dhe vajit të palmës, që sipas tij po ndikon drejtpërdrejt te fermerët vendorë.
“Sektori i qumështit është duke u përballur me presione të jashtme. Zakonisht tendenca është për ta ndryshuar përbërjen yndyrore, yndyrat shtazore me yndyrat bimore. Ajo çfarë më herët është nxjerrë nga qumështi për të prodhuar yndyrë shtazore, ka një tendencë që ajo të zëvendësohet me yndyrë bimore, me vaj palme edhe me qumësht pluhur” – tha Muja të dielen në një konferencë për media bashkë me AUV-in.
Ai shtoi se operatorët ekonomikë që përdorin vaj palme dhe qumësht pluhur do të duhet të riaplikojnë për licenca të veçanta dhe produktet e tyre nuk do të mund të tregtohen me emërtime tradicionale të produkteve të qumështit.
Disa fermerë protestuan duke hedhur qumështin në lum, në shenjë pakënaqësie për rënien e çmimit të grumbullimit dhe vështirësitë në treg.
Sipas tyre, çmimi i qumështit është ulur nga 48 centë në 27 deri në 30 centë për litër, gjë që sipas tyre po e bën të pamundur mbijetesën e prodhimit vendor.