Gjatë konferencës mbi rezultatet e Task-Forcës së Përbashkët për Migracionin, që u zhvillua në Kosovë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilloi takime me homologët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe me përfaqësues të lartë të agjencive ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë takimeve me drejtuesit e policive të rajonit, u diskutua forcimi i bashkëpunimit operacional dhe koordinimit ndërkufitar, me fokus:
-Reagime të koordinuara në kohë reale kundër fenomeneve kriminale;
-Thellimin e hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta për goditjen e grupeve kriminale ndërkufitare.
Drejtuesit ranë dakord gjithashtu për shtimin e sporteleve dhe burimeve njerëzore në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë dhe një shërbimi më cilësor për qytetarët gjatë sezonit turistik apo situatave me fluks të lartë lëvizjesh.
Drejtues Madhor Skender Hita u takua edhe me Zëvendësdrejtoreshën e Inteligjencës në Home Office të Mbretërisë së Bashkuar, zj. Vikki Pullen, si dhe me Zëvendësdrejtorin e Komandës së Sigurisë Kufitare, z. Jack Joseph.
Gjatë takimit, Drejtor Hita rikonfirmoi angazhimin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për thellimin e bashkëpunimit me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.
Nga ana e tyre, zyrtarët britanikë vlerësuan rezultatet konkrete të arritura në kuadër të Task-Forcës së Përbashkët për Migracionin dhe e cilësuan Policinë e Shtetit një partner kyç dhe të besueshëm në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.
Siguria Rajonale / Thellohet bashkëpunimi mes policive të rajonit kundër krimit ndërkufitar
5