Po vijon procesi i votimit në zgjedhjet për kryetar të Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe pritet të dalë emri i fituesit. Orari zyrtar i zgjedhjeve që po mbahen në ambientet e piramidës në kryeqytet është shtyrë për shkak se të shumtë janë avokatët në radhë për të votuar.
Më shumë se 1900 mbrojtës ligjorë të regjistruar në degën e Tiranës u thirrën të votojnë kryetarin mes 8 kandidatëve që synojnë një mandat 4-vjeçar në krye të DHAT, pasi për dekada që prej vitit 2001 atë e drejtoi avokati i mirënjohur Fatmir Brakaj.
Emra si Lulzim Alushaj, Sajmir Visha, Klodian Skënderaj apo edhe Edmond Petraj janë mes më favoritëve në këtë zgjedhje.
Ai ka një ‘armë’ të fortë për t’i kërkuar besimin kolegëve, një fitore në gjykatë kushtetuese në favor të komunitetit të avokatëve. Ai organizoi dhe ndoqi me sukses pranë Gjykatës Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, që preknin profesionet e lira. Si rezultat i këtij insistimi, mbi 29 mijë profesionistë të lirë përfituan nga heqja e barrës tatimore prej 15 deri në 23 për qind.
Alushaj i cili kandidon edhe për një post si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, ka një eksperiencë 21-vjeçare ushtrimin e profesionit të avokatit.
Ai është diplomuar në Bolonja në Itali, ku edhe ka përfunduar studimet doktorale (PhD) në fushën “Qeverisja e Bashkimit Europian, Politikat Sociale dhe Fiskale”, duke sjellë në avokatinë shqiptare një eksperiencë dhe kulturë juridike europiane. Alushaj është avokat i licencuar edhe në Itali.
Kandidatët kryesorë për kreun e Dhomës së Avokatëve të Tiranës
Sajmir Vishaj nga ana tjetër është një tjetër emër i njohur. Vishaj rikandidon për këtë post, pasi nuk ka mundur të zgjidhet në procesin e para 4 viteve. “Avokatia ka nevojë për një përfaqësim më të fortë dhe më pranë çdo avokati”, premton Vishaj, avokat i cili prej dekadash ka mbrojtur disa nga çështjet më të njohura në vend.
Një tjetër kandidat, avokat Klodian Skënderaj, i ka përfunduar studimet në Itali, në universitetin e Gjenovës. Prej vitesh në Shqipëri është i dalluar sidomos në fushën akademike, si profesor në UT apo Shkollën e Magjistraturës, dhe me botimet e tij shkencore.
Rikandidim është edhe avokati Edmond Petraj, një emër i njohur edhe për shkak të daljeve të shpeshta televizive dhe qëndrimeve të forta.
Kandidatët e tjerë janë 4 gra: Gentjana Qendro, Malvina Lika, Mirela Biba dhe Sonila Velo.
Fleta votimit për kreun e Dhomës së Avokatëve të Tiranës
Në procesin zgjedhor të sotëm ku kryetar do të zgjidhet ai kandidat që merr qoftë një votë më shumë se të tjerët, do të votohet edhe për organet e tjera drejtuese të Dhomës Vendore Tiranë.
Në zgjedhje mund të votojnë dhe njëkohësisht të kandidojnë vetëm ata anëtarë të dhomës të cilët janë pajisur me kartonin e avokatit për vitin 2026 dhe që nuk kanë papajtueshmëri ligjore me ushtrimin e profesionit të avokatit.