Sot në orën 10:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, do të mbahen homazhet në nder të Birçe Haskos, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Ai do të përcillet sot në banesën e fundit ku do të prehet në vendlindje, në Dukat të Vlorës.
Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, një prej emrave më të dashur dhe të vlerësuar të skenës dhe ekranit u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Ai ishte mjeshtri i roleve dytësore duke i dhënë një dimension të ri karakterit dhe situatave.
Milo Tafani te “Shi në Plazh”, ishte roli më i realizuar i mjeshtrit të madh Birçe Hasko, në mesin e interpretimit të mbi 12 roleve në teatër.
Janë me dhjetëra rolet e realizuara mjeshtërisht prej tij, te të cilat solli karakterin popullor të jugut, duke e bërë të paharrueshëm për publikun shqiptar, aktorin e lindur më 15 mars të 1942 në Dukat të Vlorës, të ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare.
Birçe Hasko njihej për natyrën e veçantë interpretuese, ku elementët komikë dhe karakteret fshatarake i kthente në pjesë të stilit të tij artistik, duke krijuar një lojë origjinale dhe të vështirë për t’u përsëritur. Individualiteti i tij u formësua veçanërisht në kinematografi, ku edhe në role dytësore ndërtonte personazhe të gjalla, me origjinalitet dhe shprehje të fortë skenike. Fizionomia e tij shprehëse, reagimet spontane, dhe mënyra karakteristike e të folurit e bënin interpretimin e tij të pazëvendësueshëm.
Rruga e tij drejt artit nuk nisi menjëherë në skenë. Në vitin 1961 ai përfundoi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga”, duke zgjedhur fillimisht profesionin e mësuesit.
Në vitin 1965 ai hyri në Institutin e Lartë të Arteve, ku studioi për aktrim deri në vitin 1969. Që nga përfundimi i studimeve dhe për dekada me radhë, ai u bë pjesë e jetës akademike të institucionit, duke punuar si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve. Në periudhën 1989–1994 mbajti edhe detyrën e dekanit të Fakultetit të Artit Skenik.
Më 13 nëntor 1989 iu dha titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1995 mori titullin universitar “Profesor”, ndërsa më vonë u nderua edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Regjisori Kiço Londo për Birçe Haskon: Humbëm një emblemë të artit shqiptar! Na mësoi njerëzoren, jam i bindur se yjet do ta përqafojnë fort
Pas pjesëmarrjes në homazhet për Birçe Haskon, regjisori Kiço Londo u shpreh se arti shqiptar ka humbur një emblemë. Ai tha se përtej aktorit, Hasko ishte një shembull njerëzie e mirësie.
“Kam pasur fatin që ta kem pedagog në Akademinë e Arteve. Është një ikje e trishtueshme. Kemi humbur një emblemë të artit shqiptar, një aktor teatri, kinemaje, një pedagog sipëror i lëndës së mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve. Ishte një njeri që më shumë sesa mjeshtërinë e aktorit teknikisht, na mësoi njerëzoren. Nuk predikonte, udhëhiqte me shembullin e tij. Ka bërë kaq shumë mirë, ka shpërndarë kaq shumë njerëzillëk sa jam i bindur që do të prehet në paqe dhe yjet e tjerë, sapo ta shohin, do ta përqafojnë fort”, tha Londo.
Ndarja nga jeta e Birçe Haskos, fjalët e ndjera të Timo Fllokos: Humbje! Do ta kujtoj përherë si mik të paharruar
Timo Flloko ka marrë pjesë në homazhet që po mbahen për Birçe Haskon, të cilin e quajti “personalitet me integritet qytetar e njerëzor.” Për aktorin, Hasko mbetet një karakter që rrallë do ta zëvendësojnë, ndërsa ai do ta kujtojë si mik të paharruar.
“Humbje! Birçe Haskon e kisha mik, koleg. Ai ishte një personalitet me një integritet qytetar e njerëzor të pashembullt në dimensionin artistik ai ka vendin e vet në kinematografinë shqiptare ku krijoi një sërë karakteresh interesantë. Në vendin e tij, në karakterin që kishte rrallë do ta zëvendësojnë. Vlerat e tij janë edhe në drejtim të edukimit që i dha brezit të ri. Unë do ta kujtoj përherë si një mik të paharruar”, tha Hasko.