Studentët nga Universiteti i Tiranës e Prishtinës janë grumbulluar në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet për të vijuar me protestën në mbështetje të moshatarëve në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë të drejtën për të realizuar provimet në gjuhën shqipe. Nën tingujt e “Kuq e zi je ti”, studentët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë mbërritur para ambasadës së kësaj të fundit në Tiranë, ku do të vijojnë me disa fjalime.
Ata shihen me flamuj shqiptarë ndër duar, pankarta, plisa në kokë dhe tupanë. Gjithashtu, mbajnë edhe një banderolë të madhe me mbishkrimin: “Ne jemi bashkë” që i bashkohet thirrjes “O sa mirë me qen shqiptar!” duke vijuar me himnin kombëtar për të simbolizuar nisjen e protestës.
Studentët deklarojnë se protesta nuk është politike dhe kanë bërë thirrje që kushdo që ka qëndrime politike, të largohet. Ata thonë se nuk do të tërhiqen derisa provimi të realizohet në gjuhën shqipe.
“Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, u shprehën ata.
Sipas disa deklaratave të dhëna prej vetë studentëve 4 ditë më parë për Report Tv, pritet pjesëmarrje nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Marin Mema proteston krah studentëve: Askush s’mund të na ndajë! Shqipëria ka nevojë për të rinjtë, është koha për shqiptari!
I rreshtuar pas banderolës “Ne jemi bashkë” që është edhe një nga simbolet kryesore të protestës që po mbahet për gjuhën shqipe në Tiranë në solidaritet me studentët e Maqedonisë së Veriut, gazetari Marin Mema tha “askush s’mund të na ndajë.” Ai u bëri thirrje të rinjve që të përpiqen çdo ditë dhe të marrin gjërat në dorë pasi Shqipëria ka nevojë për ta.
“Po e nis nga mesazhi që kemi dhënë me këtë banderolë këtu: ne jemi bashkë sepse sot vërtet jemi bashkë përtej çdo partie, çdo force! Kombi është mbi çdo parti, kombi është i shenjtë, kombi është gjaku e shpirti i çdo shqiptari dhe s’ka kurrkush që mundet të na ndajë! Ne do të jemi çdo ditë krah çdo shqiptari në çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare, krah vëllezërve tanë në Maqedoni e kudo sepse ne do të jemi një shpirt, një zemër, një histori, një kulturë, një identitet, një gjak, gjak shqiptar, i shenjtë! Uroj me zemër e shpirt që ne siç jemi sot të gjithë bashkë dhe ju siguroj që jemi shumë bashkë, të përpiqemi çdo ditë, të rinjtë shqiptarë në Shqipëri e kudo është koha të marrin gjithçka në dorën e tyre, është koha që të rinjtë shqiptarë të kthejnë dinjitetin e Shqipërisë dhe trojeve shqiptare! Shqipëria ka nevojë për gjithë këta të rinjtë, shqiptarët kanë nevojë për njerëz që e duan me zemër shqiptarinë ndaj sa më shumë çdo ditë sepse shqiptarinë e bëjnë vetëm ata që e duan vërtet. Është koha për shqiptari, për çdo pëllëmbë të kësaj toke!”, tha Mema.
Protesta në Tiranë për gjuhën shqipe, studentët nisin marshimin drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut
Pasi mbajtën disa fjalime në nisje të protestës, studentët sapo kanë filluar marshimin nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Ata kanë vijuar me thirrjet “Gjuha shqipe, gjuha jonë”, “Duam shqipen zyrtare” dhe “O sa mirë me qen shqiptar!”
Më tej, vijuan duke kënduar edhe këngën “Mora fjalë” të Shkurte Fejzës e duke bërë thirrje për UÇK-në.
‘Gjuha është amaneti ynë!’ Studenti nga Maqedonia e Veriut: S’kemi karrige për të ruajtur, kërkojmë vetëm barazi e respekt!
Në protestën që po mbahet në Tiranë për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, një prej studentëve thotë se nuk do të heshtin. Ai u shpreh se gjuha është amanet dhe sot problemi po kthehet në kombëtar. Studenti nga Maqedonia e Veriut nënvizoi se nuk po kërkojnë privilegje, por barazi e respekt.
“Na thanë se jemi vetëm, se do të lodhemi! E kishin gabim! Kush foli për ju, kush flet për ne, heshtën? Kur vjen dita për të zgjedhur mes karriges dhe gjuhës amtare, zgjedhin karrigen! Ne jo, ne nuk heshtim. Gjuha shqipe është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë. Gjuha na mbajti gjallë kur perandoritë erdhën dhe ranë. Gjuha na bashkoi kur na ndanë. Sot na thonë se duhet të kërkojmë leje për ta përdorur? Jo, kurrë! Ne s’kemi karrige për të ruajtur! Ne kemi vetëm gjuhën tonë! Ajo që nisi si problem i kolegëve në drejtësi, sot po kthehet në problem kombëtar. Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, tha njëri prej protestuesve nga Maqedonia e Veriut.