Eksportet e ushqimit po kthehen gjithnjë e më shumë në një armë ekonomike dhe strategjike. Të dhënat më të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë n tregojnë se një grup relativisht i vogël vendesh po mban në këmbë pjesën më të madhe të furnizimit ushqimor global, duke kontrolluar mbi 80% të tregut botëror të eksporteve bujqësore me vlerë rreth 1.5 trilion dollarë.
Sipas renditjes së publikuar, vetëm 10 eksportuesit më të mëdhenj përbëjnë pothuajse gjysmën e gjithë tregtisë globale të ushqimit. Në krye qëndrojnë Shtetet e Bashkuara, Brazili, Kanadaja dhe Meksika, të cilat së bashku dominojnë eksportet e drithërave, mishit, farave vajore dhe ushqimeve të përpunuara. Vetëm vendet e Amerikës përfaqësojnë afro 30% të eksporteve globale bujqësore.
Raporti nxjerr në pah edhe një tjetër realitet: furnizimi global i ushqimit është shumë më i përqendruar sesa mendohej. Kjo do të thotë se tensionet gjeopolitike, krizat në transport apo rritja e çmimeve të energjisë mund të ndikojnë shumë shpejt në tregjet ushqimore dhe në çmimet që paguajnë konsumatorët në gjithë botën.
Edhe pse Kina mbetet prodhuesi më i madh bujqësor në botë, ajo renditet më poshtë në eksporte krahasuar me SHBA dhe Brazilin. Arsyeja kryesore është se një pjesë shumë e madhe e prodhimit kinez konsumohet brenda vendit.
Në rajonin Azi-Paqësor, rol kyç luajnë Australia dhe Indonezia. Australia është ndër eksportuesit më të mëdhenj të mishit të viçit, grurit dhe elbit, ndërsa Indonezia dominon tregun global të vajit të palmës, një nga produktet më të përdorura në industrinë ushqimore.
Ndërkohë, në Evropë spikat Hollanda. Edhe pse është një vend i vogël, Hollanda renditet si eksportuesi i 11-të më i madh i ushqimit në botë falë teknologjisë së avancuar në bujqësi, prodhimit intensiv në sera dhe rrjetit të fuqishëm logjistik. Edhe Franca dhe Gjermania mbeten ndër liderët globalë për eksportet e produkteve ushqimore dhe bujqësore me vlerë të lartë.
Ekspertët paralajmërojnë se ndërprerjet në transportin detar, kostot e larta të karburanteve dhe paqëndrueshmëria gjeopolitike po rrisin presionin mbi zinxhirët globalë të furnizimit me ushqim. Për këtë arsye, vendet me kapacitete të mëdha prodhuese dhe infrastrukturë të zhvilluar po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për stabilitetin e tregut global ushqimor.