Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, vendi do të fokusohet në modelin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, të cilin e ka cilësuar si më të përshtatshëm për rrethanat aktuale të sigurisë. Ai s’ka dhënë detaje se kur do të nisë zbatimi i këtij plani, që ishte miratuar në Qeveri në shtator të vitit 2024.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë deklarimit për formimin e xhandarmërisë, në një konferencë për media u pyet edhe për premtimin e tij të vitit 2020 se shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm.
“Me qeverisjen tonë, shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-s. Do t’i fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak. Ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje tremujore, i cili do t’i ndihmojë FSK-së t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes”, kishte deklaruar Kurti më 4 shkurt 2020.
Ndërsa, të enjten ai e arsyetoi mosrealizimin e këtij premtimi duke thënë se ajo çfarë po bëjnë tani, duke iu referuar xhandarmërisë, është shumë më e mirë sesa shërbimi i detyrueshëm ushtarak.
“Sa i përket shërbimit të detyrueshëm ushtarak, kjo është një temë e gjatë, por mos harroni çfarë kemi bërë dhe kjo nuk do të thotë që nuk do ta bëjmë një ditë. Pra, unë besoj që kjo çfarë po bëjmë është shumë më mirë sesa shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Pra, nëse ka diçka që nuk e kemi bërë taksativisht, siç e kemi thënë para shumë viteve, duhet ta shohim se ndoshta është më mirë sesa kemi premtuar dikur”, deklaroi Kurti në konferencë për media.
Pra, a po tenton Kurti ta paraqesë mosmbajtjen e premtimit si sukses politik, duke ndryshuar narrativën pas gjashtë vitesh?
Kryeministri Albin Kurti si opozitar vazhdimisht ka qenë ithtar i shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Ani pse për një gjë të tillë ai ishte zotuar shpesh, ai kurrë nuk kishte dhënë detaje për këtë proces.
Një zotim të tillë Kurti e kishte bërë edhe pak para se të merrte për herë të parë mandatin e kryeministrit.
Derisa prezantonte programin e qeverisë në seancës e 3 shkurtit të vitit 2020, para deputetëve ai ishte zotuar se ky proces do të bëhet sipas standardeve të NATO-s.
“Me qeverisjen tonë shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-së. Do t’i fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak, ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje tre mujore i cili do t’i ndihmoj FSK-së t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes”, kishte thënë Kurti, në seancën 3 shkurt të vitit 2020.
Premtimin e njëjtë, ai e kishte përsëritur edhe në fushën e zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.
Në emisionin “DebatPernime”, Kurti kishte thënë se shërbimi ushtarak i detyrueshëm do të jetë 6 mujor, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit.
“Do ta bëjmë ushtrinë 6 muaj, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit. Ne do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm vetëm nëse do të pajtohen (të rinjtë) përndryshe do të kenë shërbim civil. Kemi kohë në 2021 ta planifikojmë buxhetin për vitin tjetër, por do ta rishikojmë buxhetin aktual menjëherë dhe do ta sjellim në Kuvend në legjislaturën e ardhshme”, ishte shprehur Kurti.