Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, një incident alarmant ka ndodhur në sheshin ”Skënderbeu” në Prishtinë, ku sipas dëshmitarëve, një konstrukcion reklamues i lidhur me Bankën Ekonomike dhe Kompaninë e Sigurimeve Siguria ka rënë duke shkaktuar lëndime te qytetarët, shkruan Gazeta Infokus.
Dëshmitarët thonë se nga rrëzimi i konstrukcionit janë lënduar disa persona, ndërsa më rëndë një i rritur dhe një fëmijë, duke e bërë rastin edhe më shqetësues, pasi ka ndodhur pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, askush nuk ishte duke qëndruar apo duke ndërhyrë pranë pllakës së hekurit të vendosur në shesh në momentin e incidentit.
Sipas pretendimeve të personave të pranishëm, kur kompanitë janë kontaktuar lidhur me rastin, atyre u është thënë që çështja t’i drejtohet Komunës.
Menjëherë pas incidentit, në vendin e ngjarjes kanë dalë tri autoambulanca dhe njësitë e Policisë, të cilat kanë ofruar ndihmën e parë dhe kanë nisur procedurat për sqarimin e rrethanave të rastit.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze për sigurinë e konstrukcioneve reklamuese të vendosura në hapësira publike, veçanërisht në një ditë kur sheshi ishte i mbushur me fëmijë dhe familje.
Rrethanat e plota të incidentit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa Gazeta Infokus tashmë ka kontaktuar Policinë për detaje zyrtare në lidhje me rastin e rëndë, dhe është në pritje të një përgjigjje.