Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash në kuadër të garantimit të rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet kombëtareve të Shqipërisë dhe Izraelit, e cila do të luhet sot në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Sipas Policisë së Shtetit, plani i masave përcakton detyrat e të gjitha strukturave policore, duke u mbështetur në përvojën e fituar gjatë organizimit dhe menaxhimit të aktiviteteve të mëdha ndërkombëtare, me qëllim garantimin e rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv dhe për të lehtësuar qarkullimin në kryeqytet, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të vendosë kufizime të përkohshme të lëvizjes së automjeteve në disa akse rrugore pranë stadiumit.
Nga ora 16:00 e datës 3 qershor deri në përfundim të ndeshjes do të bllokohen disa rrugë kryesore, mes tyre Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Asim Zeneli”, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Lekë Dukagjini” dhe rruga “Abdyl Frashëri”. Gjithashtu, në sheshin “Willson” do të ketë devijim të qarkullimit drejt rrugës “Sami Frashëri” pak para përfundimit të takimit. Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të lira për qarkullimin e mjeteve.
Policia njofton se do të ushtrojë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve përpara hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara si banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike, monedha metalike, çadra, çakmakë, karikues celularësh, produkte kozmetike dhe objekte të tjera që mund të rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve.
Autoritetet u bëjnë thirrje tifozëve të paraqiten pranë hyrjeve të stadiumit duke filluar nga ora 18:00, pasi fluksi i lartë i sportdashësve pak para nisjes së ndeshjes mund të shkaktojë vonesa dhe të pengojë hyrjen në kohë.
Për garantimin e sigurisë gjatë këtij eventi sportiv janë angazhuar qindra efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët do të jenë në terren për të ruajtur rendin publik, si dhe për t’u ofruar ndihmë dhe informacion qytetarëve dhe tifozëve. Synimi i autoriteteve është që ndeshja të zhvillohet pa incidente dhe të kontribuojë pozitivisht në imazhin e vendit.
Postimi i plotë:
Policia e Shtetit/Plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Izraelit, që do të zhvillohet më datë 03.06.2026, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.
Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat, duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 03.06.2026, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara, duke filluar nga ora 16:00, datë 03.06.2026, deri në përfundim të ndeshjes:
•Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food “Laguna”, pranë urës së ish-hotel Dajtit;
•Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
•Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
•Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;
•Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës;
•Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
•Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, korridor hyrjeje për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
•Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
•Te sheshi “Willson”, devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
-Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit, duke filluar nga ora 18:00, pasi, për shkak të fluksit të tifozëve pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’u ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.