2
Ekonomia shqiptare vijon të tregojë qëndrueshmëri dhe perspektiva mbetet përgjithësisht pozitive, pavarësisht pasigurive që vijnë nga zhvillimet ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike. Ky është vlerësimi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili zhvilloi një vizitë stafi në Shqipëri nga 28 maji deri më 2 qershor 2026.
Gjatë takimeve me Bankën e Shqipërisë, diskutimet u fokusuan te zhvillimet makroekonomike, politika monetare dhe stabiliteti financiar. Guvernatori Gent Sejko prezantoi ecurinë e ekonomisë, duke theksuar se rritja ekonomike ka sjellë më shumë punësim dhe paga më të larta, ndërsa tregues të rëndësishëm si inflacioni, borxhi publik dhe kreditë me probleme kanë shënuar përmirësim.
Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar u shprehën se ekonomia shqiptare vijon të tregojë qëndrueshmëri të mbështetur nga rritja e aktivitetit ekonomik, zhvillimet pozitive në tregun e punës dhe kushtet e favorshme financiare. Perspektiva ekonomike mbetet përgjithësisht e favorshme, megjithëse ajo përballet me pasiguri që burojnë nga zhvillimet ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike.
Në diskutimet për kursin e këmbimit, misioni i FMN-së konfirmoi se forcimi i lekut lidhet me përmirësimet strukturore të ekonomisë shqiptare dhe se regjimi i lirë i kursit të këmbimit sjell përfitime për vendin.
Sa i takon sektorit bankar, FMN e cilësoi atë të qëndrueshëm, me nivele të mira kapitalizimi dhe likuiditeti, cilësi të mirë të portofolit të kredisë dhe performancë të qëndrueshme financiare. Misioni vlerësoi edhe punën e Bankës së Shqipërisë për forcimin e instrumenteve makroprudenciale dhe afrimin e kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian.
Palët diskutuan gjithashtu mbi sfidat afatgjata të ekonomisë shqiptare, përfshirë zhvillimet demografike, produktivitetin dhe procesin e integrimit evropian. Në fund të vizitës, FMN falënderoi Bankën e Shqipërisë për bashkëpunimin, ndërsa institucioni rikonfirmoi angazhimin për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe të çmimeve.