Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatin për investimin e planifikuar në Zvernec, duke publikuar në Facebook një video nga zona, të cilën e shoqëroi me kritika ndaj kundërshtarëve të projektit dhe me një mesazh mbështetës nga një qytetar vlonjat.
Në postimin e tij, Rama argumenton se pamjet tregojnë gjendjen reale të zonës dhe jo atë që, sipas tij, paraqitet nga kundërshtarët e investimit. Më tej, Rama thekson se bëhet fjalë për një investim prej 4 miliardë eurosh që, sipas tij, do të transformojë jo vetëm Vlorën, por edhe pozicionin e Shqipërisë në hartën e turizmit ndërkombëtar.
“Pasqyrë e qartë e realitetit të trishtë të parajsës që armiqtë e Shqipërisë Europiane, konkurrentët e Shqipërisë Turistike dhe të verbërit e ‘Shqipërisë së shqiptarëve’ duan ta mbajnë të gjithë bashkë tamam kështu si është sot. Dua të sjell një investim 4 miliardë në funksion të një projekti që e kthen Vlorën në beben e syrit të turizmit në këtë anë të botës, ndërsa Shqipërinë e ngjit në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror”, shprehet ai.
Kryeministri publikoi gjithashtu mesazhin e një qytetari nga Vlora, i cili deklaron mbështetjen e tij për projektin dhe i kërkon kreut të qeverisë të mos tërhiqet nga realizimi i investimit. Qytetari shprehet se kundërshtarët e projektit nuk po mbrojnë natyrën, por po kundërshtojnë zhvillimin e zonës.
“Jam vlonjat dhe pro investimit në Zvernec. Mos ndalo. Po të nis një video dhe të lutem postoje. Bëhet fjalë fiks për zonën ku njerëz të papërgjegjshëm e kanë katandisur zonën e mbrojtur si mos më keq. Po ta kishin për natyrën, duhet të shanin pse është bërë hale, jo pse do të hedhësh 4 miliardë që s’janë hedhur në tërë historinë në anët tona”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Rama.
Në fund të mesazhit, qytetari i bën thirrje kryeministrit të vijojë me projektin, duke argumentuar se ai do të sjellë zhvillim për zonën dhe do të ndihmojë në rehabilitimin e saj.
“Bëje këtë zhvillim e vlonjatët do të të bekojnë në breza. Tregoja Shqipërisë se duan të sabotojnë zhvillimin që e shëron këtë zonë”, shkruan ai.
Postimi i plotë:
MIRËMËNGJES
dhe me këtë mesazh të nxjerrë nga telefoni im bashkë me videon e mëposhtme (pasqyrë e qartë e realitetit të trishtë të parajsës që armiqtë e Shqipërisë Europiane, konkurrentët e Shqipërisë Turistike dhe të verbërit e “Shqipërisë së shqiptarëve” duan ta mbajnë të gjithë bashkë tamam kështu si është sot – siç do ta shihni vetë – tokë të ndotur e të paprekur nga tradhtia ime, që dua të sjell një investim 4 miliardë në funksion të një projekti që e kthen Vlorën në beben e syrit të turizmit në këtë anë të botës, ndërsa Shqipërinë e ngjit në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror), duke shpresuar që tanimë t’ju jetë pastruar gjaku nga helmi i luftës hibride online atyre të mive, që u dëshpëruan prej një rreziku imagjinar, ju uroj të gjithëve ju një ditë të mbarë
“Pershendetje Kryeminister! Jam Vlonjat dhe pro investimit ne Zvernec. Mos ndalo. Po te nis nje video dhe te lutem postohe. Behet fjale fiks per zonen ku njerez te papergjegjshem qe dhe ndoshta jan ngritur ne protest e kan katandisur zonen e mbrojtur si mos me keq. Kurse ata qe erdhen per sherr dihet qe e kane me ty jo me natyren se po ta kishin per natyren duhet te shanin pse esht ber hale jo pse do te hedhesh 4 miliarde qe sjan hedhur tere historin ne anet tona. Shihe videon dhe nese do mund te te nis dhe video te tjera te zonave ku mbrohen me ligj po nuk mbrohen dot nga njerezit e liq pa tru qe s a me shum plehra hedhin poshte aq me teper cirren me zerin lart. Te falenderoj nese e mer ne konsiderat kete video dhe tregoja Shqiperis se duan te sabotojne zhvillimin qe e sheron kete zone. Beje kete zhvillim e vlonjatet do te te bekojn ne breza. Keta jo nuk e duan Shqiperin aq sa thone po e duan edhe pa te huaj qe ta kthejne si Vlora para se ta merrje ti ne dor. Po te nis videon”