Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar një sërë parregullsish në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), duke përfshirë barna me afat të skaduar, vonesa në furnizimin me aparatura mjekësore, pasuri të paregjistruara dhe pagesa të vonuara në miliona euro.
Sipas raportit, në stokun farmaceutik janë gjetur barna dhe materiale mjekësore me afat të skaduar në vlerë prej 58 mijë e 614 eurosh, të cilat vazhdonin të figuronin si stok valid dhe i përdorshëm.
Auditori ka evidentuar gjithashtu vonesa në furnizimin me aparatura dhe pajisje mjekësore. Në katër pagesa për blerjen e aparaturave në vlerë të përgjithshme prej 927 mijë e 200 eurosh, janë konstatuar vonesa në liferimin e mallrave përtej afateve të përcaktuara me kontratë.
Megjithëse vonesat varionin nga 3 deri në 52 ditë, auditorët nuk kanë gjetur dëshmi se janë aplikuar penalitetet e parapara kontraktuale ndaj operatorëve ekonomikë.
Sipas ZKA-së, zgjatjet e afateve të liferimit janë miratuar me vonesë nga menaxherët e kontratave, duke reflektuar mosrespektim të procedurave për ndryshimet kontraktuale dhe mungesë të monitorimit efektiv të zbatimit të kontratave.
Auditori po ashtu ka gjetur edhe keqklasifikim të shpenzimeve në vlerë prej 3 milionë e 857 mijë e 684 eurosh, ndërsa buxheti i të hyrave është nënvlerësuar për mbi 1 milion euro për shkak të raportimit jo të saktë financiar.
Në Spitalin e Prizrenit, auditori ka hasur në një rast të pazakontë. Në regjistrin e pasurisë figuron një automjet “Kombi Bus – 4 dyer”, por gjatë verifikimit në terren nuk është arritur të gjendet fizikisht automjeti.
Raporti evidenton gjithashtu se nëntë pozita drejtuese në SHSKUK vazhdojnë të mbahen me ushtrues detyre, në kundërshtim me afatet dhe dispozitat ligjore në fuqi.
ZKA-ja ka gjetur edhe vonesa të shumta në pagesën e faturave. Sipas auditorit, faturat janë paguar me vonesa nga 5 deri në 86 ditë, ndërsa vlera totale e pagesave të vonuara arrin në rreth 5.8 milionë euro.
Po ashtu, SHSKUK-ja kishte dhënë avanse për investime kapitale në vlerë prej 341 mijë e 318 eurosh përtej kufijve të lejuar me ligjin mbi ndarjet buxhetore.
Në përfundim, auditorët kanë konstatuar mangësi serioze në kontrollin e brendshëm financiar, menaxhimin e kontratave, monitorimin e pasurive dhe administrimin e stokut farmaceutik. Për këtë arsye, ZKA-ja ka rekomanduar marrjen e masave urgjente për përmirësimin e kontrollit financiar, regjistrimin e saktë të pasurive, menaxhimin e stokut farmaceutik dhe respektimin e afateve ligjore për pagesa dhe emërime në pozitat drejtuese.