Presidenti Bajram Begaj ka shprehur dhembjen e madhe për humbjen tragjike të jetës në krye të detyrës së policit Enea Mekolli dhe plagosjen e efektivit tjetër E.A., gjatë operacionit për arrestimin e të kërkuarit për drogë, 43-vjeçarit Violant Braçellari.
Me një postim në rrjetin social Facebook, kreu i shtetit i ka shprehur ngushëllime dhe solidaritet familjes së efektivit të vrarë, ndërsa i ka uruar shërim të shpejtë efektivit të plagosur.
Begaj garantoi se Policia e Shtetit do e kthejë dhembjen në forcë e vendosmëri për të luftuar krimin në çdo skutë.
“Bashkohem thellësisht më dhembjen për humbjen tragjike të jetës në krye të detyrës të policit Enea Mekolli dhe plagosjen rëndë të kolegut të tij, Edison Adri. I shpreh familjes ngushëllimet dhe solidaritetin më të lartë në emër të shtetit shqiptar në këtë ditë mjaft të rëndë për ta! I uroj shërim të plotë dhe sa më të shpejtë punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili mbeti i plagosur!
Policia e Shtetit nuk do të zbrapset nga kjo humbje e do ta kthejë dhembjen në forcë e vendosmëri për të luftuar krimin në çdo skutë. Populli shqiptar është masivisht përkrah policisë në mbrojtje të sigurisë dhe rendit publik”, shkruan Begaj.
Një efektiv i forcës “Shqiponja”, 34-vjeçari Enea Mekolli, mbeti i vrarë gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, Maliq, për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari. Gjatë rrethimit të stanit ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari, policia i bëri thirrje të dorëzohej, por ai hapi zjarr ndaj efektivëve, duke vrarë Mekollin dhe plagosur një tjetër punonjës policie, 36-vjeçarin E.A.
Forcat e policisë iu kundërpërgjigjën sulmit, duke plagosur Braçellarin, i cili më pas u arrestua. I kërkuari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet e 11 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vendngjarje u nis edhe helikopteri i shëndetësisë për transportimin e të plagosurve.