Një masiv i madh dherash është shkëputur në orët e para të mëngjesit në Kodër-Currila të Durrësit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në një pallat të banuar. Muri anësor i katit të parë është shembur, ndaj dëmet më të mëdha janë në një restorant peshku.
25 familje të pallatit janë evakuuar përkohësisht deri në stabilizimin e plotë të situatës. Për shkak të përbërjes argjilore të kodrës në Currila, rrëshqitje të tilla kanë ndodhur edhe më parë, duke e bërë këtë një problem të përsëritur.
“Ke të bësh me malin, çfarë të bësh. Vit për vit kjo punë. Janë larguar banorët, ka rrezik të vazhdojnë rrëshqitjet.”
Ndërtuesi i pallatit thotë se duhet një studim i plotë gjeologjik për të shmangur rrezikun e shembjes së objektit.
“Zona është pa energji elektrike, banorët s’kanë hyrë akoma në shtëpitë e tyre. Emergjencat Civile duhet të ndërhyjnë. Presim të vijnë inxhinierët.”
“Kjo ka nisur që në 2019, kur ka rënë tërmeti. Mbrëmë në orën 3 dëgjuam kërcitje, pamë se kishte rënë kodra. Ndenjëm në makina, s’jemi kthyer akoma. Jemi me duart lart nga Zoti, të shohim tani.”
Ndërkohë, Bashkia e Durrësit njoftoi se 25 familjet e pallatit nuk do të lejohen të kthehen në banesat e tyre deri në përfundimin e ekspertizave teknike.
Sipas bashkisë, është ngritur një grup pune me ekspertë të Institutit të Ndërtimit, IGJEUM-it, AKMC-së dhe pushtetit vendor për vlerësimin e situatës, ndërsa gjatë ditës së shtunës do të nisin verifikimet për gjendjen e objektit dhe studimet gjeologjike për zonën e prekur nga rrëshqitja e dheut.
Durrës/ Pas rrëshqitjes së dheut në Currila, 25 familje mbeten jashtë banesave, nisin ekspertizat për pallatin e dëmtuar
Pas rrëshqitjes së dheut që dëmtoi një pallat në zonën e Currilave, Bashkia e Durrësit njofton se 25 familjet që banojnë në godinë nuk do të lejohen të kthehen në apartamentet e tyre deri në përfundimin e ekspertizave dhe konfirmimin se objekti është i sigurt.
Sipas bashkisë, menjëherë pas ngjarjes janë angazhuar strukturat vendore dhe qendrore të emergjencave civile, ndërsa është ngritur një grup pune me përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Institutit të Ndërtimit, IGJEUM-it dhe Bashkisë së Durrësit për të vlerësuar situatën në terren.
Gjatë ditës së nesërme pritet të nisin verifikimet për gjendjen e pallatit, si dhe matjet për studimin gjeologjik dhe gjeoteknik të zonës. Autoritetet synojnë të hartojnë një akt-ekspertizë për qëndrueshmërinë e objektit dhe një projekt për përforcimin e territorit ku ndodhi rrëshqitja.
Bashkia bën me dije se prej muajit mars ka kërkuar monitorim dhe vlerësim të situatës në Currila, pas episodeve të mëparshme të rrëshqitjeve të dheut. Në bazë të këtyre kërkesave, Instituti i Ndërtimit dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar kanë përgatitur relacionet paraprake për gjendjen e kodrës, ndërsa është hartuar edhe një marrëveshje bashkëpunimi për ekspertiza më të specializuara.
Paralelisht, Instituti i Ndërtimit ka ngritur një grup të posaçëm pune me profesorë universitarë dhe ekspertë të fushës për të kryer vlerësimin teknik të pallatit. Bashkia thotë se do të kërkojë edhe financim nga institucionet qendrore për rehabilitimin e zonës së prekur nga rrëshqitja e dheut.