Shqipëria po ecën paralelisht me tre kapituj të rëndësishëm të negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa synon të avancojë procesin e akreditimit dhe të nisë sa më shpejt zbatimin e programit IPARD III. Kjo ishte një nga mesazhet kryesore të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla, gjatë lançimit të projektit EU4FoodSafety në Tiranë.
Salla tha se projekti i ri i mbështetur nga Bashkimi Evropian vjen në një moment vendimtar për vendin, teksa institucionet shqiptare po punojnë për harmonizimin e sistemit të sigurisë ushqimore me standardet evropiane.
“Siguria ushqimore është një shtyllë themelore për shëndetin publik, për mbrojtjen e konsumatorit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit agro-ushqimor. Ajo është gjithashtu një element kyç për rritjen e aftësisë konkurruese të prodhuesve shqiptarë dhe për afrimin e tyre me tregun evropian”, u shpreh ministri.
Ai tha se Ministria e Bujqësisë mbetet e angazhuar në forcimin e kapaciteteve institucionale, koordinimin ndërinstitucional, përmirësimin e sistemeve të kontrollit dhe inspektimit, rritjen e standardeve për operatorët e biznesit ushqimor dhe zbatimin e legjislacionit në përputhje me acquis të BE-së.
“Projekti EU4FoodSafety vjen në një moment kyç për Shqipërinë. Ai përbën një mbështetje të rëndësishme për konsolidimin e reformave dhe për forcimin e kapaciteteve tona në fushën e sigurisë ushqimore. Ky projekt do të na ndihmojë të kalojmë nga identifikimi i sfidave drejt zbatimit të zgjidhjeve konkrete dhe të qëndrueshme, duke garantuar një nivel më të lartë sigurie ushqimore për qytetarët”, deklaroi Salla.
Ministri e lidhi projektin edhe me procesin e integrimit evropian, duke theksuar se Shqipëria po punon njëkohësisht në disa fusha kyçe të sektorit.
“Ne jemi duke ecur paralelisht në Kapitullin 12 – Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare, Kapitullin 11 – Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, si dhe Kapitullin 13 – Peshkimi, si pjesë e një qasjeje të integruar për zhvillimin e sektorit dhe përmbushjen e detyrimeve tona në procesin e anëtarësimit”, tha ai.
Duke u ndalur te fondet evropiane për bujqësinë, Salla tha se programi IPARD mbetet një instrument strategjik për sektorin.
“Siç kemi theksuar edhe më parë, jemi plotësisht të angazhuar për avancimin e procesit të akreditimit dhe për fillimin sa më të shpejtë të zbatimit të IPARD III, në mënyrë që të sjellim përfitime konkrete për fermerët dhe sipërmarrjet agro-ushqimore.Objektivi ynë është i qartë: ndërtimi i një sistemi funksional dhe të besueshëm, i cili garanton ushqim të sigurt për qytetarët dhe njëkohësisht përmbush standardet e Bashkimit Evropian.”, deklaroi ministri.
Rama mirëpret lançimin e projektit EU4FoodSafety në Tiranë: Siguri më e madhe ushqimore për shqiptarët, afrojmë standardet shqiptare me të BE-së
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga lançimi i projektit EU4FoodSafety, një nismë e mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania që synon forcimin e sigurisë ushqimore në vend.
Sipas Ramës, projekti do të ndihmojë në modernizimin e sistemeve të kontrollit ushqimor, veterinar dhe fitosanitar, ndërsa do të mbështesë rritjen e kapaciteteve laboratorike dhe forcimin e kontrolleve zyrtare.
“Modernizojmë sistemet e kontrollit ushqimor, veterinar dhe fitosanitar në vend, në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe Gjermaninë Projekti do të mbështesë rritjen e kapaciteteve laboratorike, forcimin e kontrolleve zyrtare dhe përmbushjen e detyrimeve të Kapitujve 11, 12 dhe 13 të negociatave me Bashkimin Europian, duke afruar më tej standardet shqiptare me ato europiane në rrugën tonë të pandalshme drejt anëtarësimit në BE” shkruan Rama
Sipas tij, nisma pritet të sjellë më shumë siguri ushqimore, cilësi më të lartë të produkteve dhe më shumë besim për qytetarët, ndërsa mbështet edhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.