Bashkimi Evropian ka kërkuar nga liderët politikë në Kosovë që të lënë anash dallimet dhe të fokusohen në formimin e institucioneve stabile pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka uruar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për rezultatin në zgjedhje, duke theksuar se tashmë vendi ka nevojë për kompromis politik dhe stabilitet institucional.
Në një postim në rrjetin social “X”, Palatova ka përgëzuar edhe partitë e tjera politike për rezultatet e arritura, derisa ka bërë thirrje që prioritet të jetë integrimi evropian dhe ofrimi i rezultateve konkrete për qytetarët.
“Përgëzime për Albin Kurtin për fitoren zgjedhore dhe për të gjitha partitë për rezultatet e tyre! Është koha për kompromis dhe për të formuar institucione të qëndrueshme, për të vënë në plan të parë interesin e integrimit evropian të Kosovës dhe për të ofruar rezultate për qytetarët e saj”, ka shkruar ajo.
Mesazhi i BE-së vjen në kohën kur pritet formimi i institucioneve të reja pas procesit zgjedhor, ndërsa nga faktori ndërkombëtar po kërkohet bashkëpunim politik dhe stabilitet në vend.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli e para në zgjedhjet e 7 qershorit me 42.91 për qind të votave.
Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me 21.08 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.17 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind.
Ndonëse votat me kusht dhe ato të diasporës nuk janë numëruar ende, rezultatet e deritanishme tregojnë disa ndryshime në pozicionim krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025.
Pas shpalljes së rezultateve, Kurti la të hapur mundësinë për dialog dhe bashkëpunim me partitë e tjera politike.
“Në javët e ardhshme do të komunikojmë, do të takohemi dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike”, tha ai në një fjalim drejtuar mbështetësve të tij, mbrëmjen e 7 qershorit.
Partia e tij ka marrë pushtetin për herë të parë në vitin 2019, me një agjendë më nacionaliste dhe të fokusuar kryesisht në mirëqenien e qytetarëve.
Që nga ajo kohë janë mbajtur edhe katër palë zgjedhje parlamentare, kryesisht të parakohshme, dhe Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese në të gjitha.
Kurti e theksoi këtë edhe në adresimin e tij paszgjedhor.
“Për më pak se shtatë vjet, kjo është fitorja e pestë e LVV-së në zgjedhjet parlamentare… Prandaj, edhe në këto zgjedhje të pesta u dëshmua që të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë”, tha ai.
“Nuk ka vështirësi që nuk e kemi kaluar, edhe kur është dukur e pamundur, e kemi realizuar. Sepse tani është shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet”, shtoi Kurti.
Në një konferencë për media një ditë pas zgjedhjeve, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se për krijimin e institucioneve duhet të arrihet një marrëveshje politike sa më shpejt.
I pyetur për bashkëpunim të mundshëm me Vetëvendosjen, ai u shpreh se nuk përjashton asnjë parti dhe se nuk ka “vija të kuqe”.
Natën e zgjedhjeve, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vendosi si kusht për bisedime emrin e Vjosa Osmanit për presidente.
“Jemi të vetëdijshëm se çështja e presidentit do të jetë çështja e parë që do të diskutohet. Ne kemi kandidaten tonë dhe ajo do të jetë pikënisja e çdo bisedimi”, tha Abdixhiku.
Osmani, e cila nuk kishte mbështetje për mandatin e dytë presidencial, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arsye ta refuzojë kandidaturën e saj.
Megjithatë, në një postim në Facebook më vonë, ajo sqaroi se emri i saj “as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.