Në Shkodër u organizua një panair pune i dedikuar nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara, me qëllim forcimin e përfshirjes së tyre në tregun e punës dhe krijimin e mundësive reale për integrim profesional dhe social.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik të qytetit dhe u konceptua si një platformë ku u takuan punëdhënës, institucione publike, organizata të shoqërisë civile dhe vetë personat me aftësi të kufizuara. Qëllimi kryesor ishte lehtësimi i komunikimit mes palëve dhe krijimi i mundësive konkrete për punësim, trajnime dhe bashkëpunim afatgjatë.
Panairi u realizua në kuadër të një projekti të financuar nga Këshilli i Evropës, i cili synon të mbështesë politikat e përfshirjes sociale dhe barazisë në punësim për grupet e margjinalizuara.
Drejtoresha e qendrës së gruas “Hapat e lehtë”, Denada Shpuza, theksoi se panairi nuk kufizohet vetëm në ofrimin e mundësive për punë, por ka edhe një dimension të rëndësishëm promovues. Sipas saj, personat me aftësi të kufizuara kanë aftësi dhe potencial që shpesh nuk njihen mjaftueshëm në tregun e punës, dhe aktiviteti shërben për t’i bërë ato më të dukshme për punëdhënësit, edhe përmes ekspozimit të produkteve dhe punimeve të tyre.
Nga ana e përfituesve, Ardit Mancaku, pjesë e projektit “Shpresa”, solli në vëmendje vështirësitë e vazhdueshme që hasin këta persona në punësim. Ai përmendi raste të shumta refuzimi dhe paragjykimi nga punëdhënësit, duke theksuar se shpesh mungon gatishmëria për t’u dhënë atyre një mundësi reale integrimi në vendin e punës.
Panairi mblodhi së bashku një sërë institucionesh publike, biznese lokale dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat prezantuan mundësi punësimi dhe programe mbështetëse. Aktiviteti u shoqërua edhe me performanca artistike nga banda muzikore “The Door”, të cilat përcollën mesazhe për përfshirje, talent dhe të drejta të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në shoqëri.