Në Ministrinë e Transportit u zhvillua mbledhja e Komitetit të Përbashkët për Transportin Rrugor ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, duke shënuar rifillimin e dialogut institucional në këtë format pas më shumë se 12 vitesh.
Delegacioni turk u drejtua nga zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Dumuş Ünüvar, dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Organizatës për Shërbime Transporti të Turqisë, z. Hasan Boz, të shoqëruar nga përfaqësues të institucioneve përkatëse.
Ndërsa pala e Maqedonisë së Veriut u përfaqësua nga zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, së bashku me përfaqësues të sektorëve përgjegjës për transportin rrugor të mallrave dhe të udhëtarëve.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në sektorin e transportit rrugor, bashkëpunimi dypalësh, nevojat e transportuesve dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve transportuese dhe ekonomike mes dy vendeve.
Arritja kryesore e mbledhjes ishte nënshkrimi i një protokolli të ri për transportin rrugor, përmes të cilit u vendos rritja e numrit të lejeve për transport me vendet e treta nga 1.300 në 1.500, si dhe rritja e kuotës ekzistuese nga 3.150 në 3.500 leje. Po ashtu, u dakordua shkëmbimi i 250 lejeve shtesë për vitin 2026, me synim plotësimin e kërkesave në rritje të transportuesve dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave ndërmjet dy shteteve.
Të dy delegacionet e vlerësuan këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të kushteve më të favorshme për sektorin e transportit, duke ndikuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe përmirësimin e lidhjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.
Në takim u theksua gjithashtu se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë tradicionale dhe shumë të mira, si dhe ekziston gatishmëri e përbashkët për të vazhduar dialogun dhe bashkëpunimin në drejtim të zhvillimit të një sistemi transporti modern, efikas dhe të qëndrueshëm.
Mbledhja konfirmoi angazhimin e të dyja palëve për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe avancimin e projekteve dhe nismave të përbashkëta në fushën e transportit rrugor.