Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër gjobës prej 5.100 eurosh. Dënimi lidhet me pjesëmarrjen e një vajze 10-vjeçare në një aktivitet elektoral të partisë.
Ngjarja kishte ndodhur më 31 maj 2026 gjatë një tubimi zgjedhor në Vushtrri, ku e mitura ishte ngjitur në skenë dhe kishte recituar para të pranishmëve.
Sipas Supremes, nuk ka rëndësi nëse fëmija kishte shprehur vetë dëshirën për të marrë pjesë apo nëse ishte ftuar nga organizatorët, pasi përgjegjësia për organizimin dhe zhvillimin e aktivitetit mbetet te subjekti politik.
Gjykata theksoi se angazhimi aktiv i një fëmije nën moshën 15-vjeçare në fushatë zgjedhore është në kundërshtim me rregullat zgjedhore në fuqi, duke e konsideruar të drejtë dhe të bazuar vendimin e PZAP-së për shqiptimin e gjobës.