Serwer thotë se akuzat bazë të Gjykatës Speciale janë rrena. Ai thekson se ka gabuar që ka qenë pro Speciales, pasi që konsideron që është krejtësisht e padrejtë.
Profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, ka thënë se akuzat bazë për krijimin e Gjykatës Speciale, si ato për trafikim organesh, janë të pavërteta, derisa shprehet pishman që e ka përkrahur këtë mekanizëm.
“Akuzat për trafikim organesh, të cilat janë baza për krijimin e këtij tribunali, janë të pavërteta. Dhe më duket e diskreditueshme që gjykata ka ngritur akuza të tjera kur ishte krejtësisht e qartë se arsyeja e krijimit të këtij tribunali ishte raporti i Martyt”, tha Serwer.
“Tani, gjykata i ka shqyrtuar këto argumente dhe i ka refuzuar. Por, unë nuk jam jurist. Jam thjesht dikush që dëshiron drejtësi”, shtoi ai.
Ai thekson se i duket “shumë e padrejtë që disa prej nesh kemi argumentuar, dhe unë kam argumentuar, për gjykatën mbi bazën e akuzave të raportit të Martyt”.
“Dhe, sinqerisht, kam argumentuar sepse mendoja se ishin akuza të pavërteta”, potencoi ai.
Ai thekson se nuk shihte “ndonjë rrezik serioz”. Por, tani kur e sheh se si është zhvilluar i gjithë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se “kam gabuar”.
“Kam bërë një gabim dhe e kam thënë qartë se kam gabuar, dhe ia kam thënë këtë edhe Hashimit [Thaçit]. Nuk e di çfarë do të vendosë gjykata. Janë shpenzuar 200 milionë euro për një proces që, sipas meje, duket krejtësisht i padrejtë”, thekson ai.
Serwer mendon “se është e padrejtë që njerëzit të mbahen në burg për pesë vjet para një vendimi”.
“Do të them gjithashtu se e njoh Hashimin dhe të tjerët nuk i njoh aq mirë. E njoh Hashimin që nga udhëtimi i tij i parë në Uashington menjëherë pas luftës, brenda disa muajsh”.
Thotë se e di që “në atë kohë ai nuk kishte autoritet komandues mbi UÇK-në”. “Ai po akuzohet për përfshirje në një konspiracion mes atyre që kishin autoritet komandues. Dhe unë thjesht nuk besoj se ai e kishte atë rol. Dhe mendoj se një numër amerikanësh e kanë dëshmuar këtë gjatë gjyqit”.