Refuzimi i projektit të gazit amerikan nga Qeveria Kurti po shihet me shqetësim të madh në Kosovë. Opozita e deridjeshme ka bërë me dije se refuzimi i këtij projekti është i dëmshëm për Kosovën.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe ish-kryediplomati Enver Hoxhaj kanë bërë me dije se nuk bëhet fjalë për një projekt të zakonshëm ekonomik, por për orientimin gjeopolitik të Kosovës.
Sipas tyre, Kosova do të ketë pasoja nga refuzimi i këtij projekti.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për protesta kundër qeverisë për këtë çështje.
Në profilin e tij në Facebook, ai e ka kritikuar edhe opozitën.
“1. Pse Kurti e refuzon projektin e gazit amerikan, në situatën kur të gjitha vendet e rajonit po përfshihen në këtë projekt strategjik për të dalë nga sfera e ndikimit rus? 2. Pse Kurti nuk ka bërë absolutisht asgjë në gjashtë vite të qeverisjes së tij sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike? 3. Kujt i intereson që Kosova të vijojë të jetë e varur nga importi i energjisë? Këto besoj se janë pyetjet thelbësore për secilin politikan dhe secilin qytetar”, ka shkruar ai, duke shtuar se ky projekt është jetik për Kosovën.
“Është për keqardhje të shohësh sa me lehtësi e tejkalojnë këtë temë disa opozitarë, të cilët mjaftohen me përdorimin e saj vetëm në kohë zgjedhjesh. Nëse ekziston kauzë për të cilën duhet dalë në rrugë në protesta demokratike deri në largimin e kësaj qeverie është ky projekt i gazit. Nuk bëhet fjalë për një projekt të zakonshëm ekonomik, por për orientimin gjeopolitik të Kosovës, për sigurinë energjetike dhe për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Heshtja përballë një dëmi të tillë nuk është neutralitet – është bashkëfajësi. Kauzë për të protestuar deri në largimin e qeverisë ka qenë gjithashtu edhe suspendimi i Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe ‘23” në vitin 2023, si dhe pezullimi i dialogut strategjik Kosovë-SHBA në shtator 2025”, ka shkruar ai.
I shqetësuar është shprehur edhe ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Në një video të publikuar në Facebook, ai ka theksuar se bëhet fjalë për një projekt strategjik me rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën dhe rajonin.
“Një projekt i tillë do ta ridefinojë rolin e Amerikës në Ballkan dhe marrëdhënien e saj me Kosovën. Ky raport duket që është në krizë sepse Qeveria e Kosovës veçse e ka refuzuar një projekt të tillë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Sipas tij, rëndësia e këtij projekti tejkalon edhe objektiva të tjera strategjike të vendit.
“Ky projekt ka më shumë përparësi sesa vetë anëtarësimi i Kosovës në NATO apo promovimi i demokracisë, dhe ne mund të arrijmë deri te NATO pikërisht përmes një projekti të tillë”, është shprehur ai.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka hedhur poshtë mundësinë që një infrastrukturë e Gazit të Lëngshëm Natyror Amerikan të ndërtohet në Kosovë.
Gjatë një interviste në RTK, një ditë para zgjedhjeve, ai ka thënë një e tillë duhet të bëhet në Vlorë, e pastaj nga aty gazi të transferohet si energji elektrike në Kosovë.
“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kiloëolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”, ka thënë Kurti, duke dhënë detaje tjera.
“Nuk kemi nevojë ta sjellim në Kosovë. Ne e sjellim në Vlorë dhe nga Vlora e marrim. Terminali në Vlorë mund të jetë një vend ku Shqipëria dhe Kosova janë bashkë sa i përket gazit të lëngshëm i cili importohet, vjen nga jashtë”, është shprehur Kurti.