Nga ora 16:00 e sotme, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet të fillojë numërimi i votave të ardhura nga përfaqësitë diplomatike.
Votimi fizik jashtë Kosovës është mbajtur më 6 qershor në 30 përfaqësi diplomatike, ku sipas të dhënave zyrtare kanë qenë të regjistruar 27 mijë e 724 votues.
Prej tyre, kanë marrë pjesë rreth 81 për qind, ose 22 mijë e 414 qytetarë që kanë ushtruar të drejtën e votës.
Paralelisht me numërimin e votave diplomatike, në QNR po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime të dërguara përmes postës nga jashtë Kosovës.
Ky proces ka për qëllim të verifikojë nëse dërgesat i përkasin votuesve të regjistruar në listën për votim me postë.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më 10 qershor 2026 janë trajtuar mbi 23 mijë e 300 pako.
Nga to, 22 mijë e 601 janë aprovuar, ndërsa 755 janë refuzuar.