Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga kantieri i rrugës Berat–Ballaban, ku vijojnë punimet në segmentin Drobonik–Gllavë për përfundimin e 10 kilometrave të fundit.
Ky segment do të mbyllë Lotin 3 dhe gjithë projektin e këtij aksi strategjik me një gjatësi totale prej 60 kilometrash.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Rama theksoi rëndësinë e projektit, duke theksuar se “Me një gjatësi prej 60 kilometrash, kjo rrugë po afron gjithnjë e më shumë Beratin dhe Gjirokastrën, dy qytete me vlera të jashtëzakonshme historike e kulturore, të mbrojtura nga UNESCO.”
Ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Beratit dhe për forcimin e lidhjeve kulturore mes qyteteve të mbrojtura nga UNESCO.
Ky aks nuk është thjesht një investim infrastrukturor, por një nyjë lidhëse që forcon rrjetin e turizmit kulturor në jug.
Rruga shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit nga jugu drejt Beratit, duke afruar vizitorët vendas dhe të huaj që lëvizin përmes akseve Përmet–Tepelenë dhe më gjerë.
Me përfundimin e saj, pritet një rritje e ndjeshme e turizmit kulturor dhe historik.
Berati do të bëhet më lehtësisht i aksesueshëm për vizitorët që zbresin nga Gjirokastra apo vijnë nga Greqia, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të turistëve, zhvillimin e agroturizmit dhe gjallërimin ekonomik të zonave rurale.