Hetimet për zhdukjen dhe vrasjen e dyshuar të Eglant Koçit janë përqendruar te Armand Shakaj, i cili dyshohet si autor i ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në kërkim policor. Sipas dosjes hetimore, dyshohet se pas konfliktit ose ngjarjes së ndodhur mes tyre, Koçi ka humbur jetën dhe trupi i tij është mbajtur për një periudhë kohore brenda automjetit të Shakajt.
Nga verifikimet e kamerave të sigurisë dhe të dhënat paraprake të hetimit, dyshohet se trupi i pajetë i 34-vjeçarit ka qëndruar në automjet për rreth një ditë e gjysmë, duke u bazuar në faktin se kontaktet e fundit të tij me familjarët janë regjistruar më 4 qershor, ndërsa zhdukja dhe lëvizjet e dyshimta të mjetit lidhen me datën 6 qershor.
Hetuesit dyshojnë se më pas Armand Shakaj ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij drejt zonës së Ibës, ku mjeti është dërguar pranë një servisi. Kjo manovër, sipas dyshimeve të policisë, është bërë me qëllim shmangien e kontrolleve rutinë dhe për të mos tërhequr vëmendje gjatë lëvizjes së automjetit që dyshohet se përmbante trupin e viktimës.
Policia ka identifikuar dhe marrë në pyetje drejtuesin e karrotrecit. Ai ka deklaruar se është thirrur për një shërbim të zakonshëm transporti, pasi i është thënë se automjeti kishte pësuar defekt dhe duhej dërguar në servis. Sipas dëshmisë së tij, ai nuk ka vënë re asgjë të dyshimtë dhe nuk ka pasur asnjë dijeni për përmbajtjen e mjetit, duke u larguar menjëherë pas dorëzimit.
Ndërkohë, në ambientet e zyrës së Armand Shakajt, ku dyshohet se mund të jetë mbajtur ose trajtuar viktima, ekspertët kriminalistikë kanë konstatuar gjurmë të dyshuara mbetjesh baruti. Këto gjurmë po analizohen në laborator për të përcaktuar nëse lidhen me përdorim arme zjarri dhe nëse kanë lidhje direkte me ngjarjen. Gjithashtu, janë konstatuar edhe dëmtime në ambient, përfshirë një kamera sigurie të dëmtuar dhe elementë të tjerë që po verifikohen nga grupi hetimor.
Policia ka ngritur disa pista hetimi, duke përfshirë edhe kërkimin intensiv për gjetjen e trupit të Eglant Koçit në zona të ndryshme përreth Tiranës, si dhe në drejtimet Elbasan–Librazhd, ku dyshohet se mund të jetë transportuar ose fshehur. Paralelisht, po vijon operacioni për lokalizimin dhe arrestimin e Armand Shakajt, i cili është në arrati.
Sipas burimeve hetimore, Shakaj ka ndërmarrë masa të vazhdueshme për t’iu shmangur gjurmimit, duke ndryshuar të paktën gjashtë herë numrin e telefonit brenda një periudhe të shkurtër kohe. Ky veprim konsiderohet nga hetuesit si një përpjekje për të shmangur përgjimin dhe lokalizimin nga strukturat ligjzbatuese.
Hetimet vijojnë në disa drejtime njëkohësisht dhe ende nuk ka një version përfundimtar zyrtar mbi motivin dhe rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa autoritetet theksojnë se të gjitha pistat mbeten të hapura deri në zbardhjen e plotë të rastit.