Kryeministri Edi Rama ka replikuar me një protestuese duke i kthyer përgjigje qytetarit Nertil Shuli lidhur me protestën që po zhvillohet prej 15 ditësh në Tiranë dhe rrjedhës që mori mbrëmjen e djeshme. Nertil Shuli ka komentuar reagimin e parë të kryeministrit për ditën e sotme, disa orë pas bllokimit të autostradës Tiranë-Durrës e rrugës që të çon në aeroportin e Rinasit.
Ndërsa qytetari i thotë Ramës se mosbesimi ndaj qeverisë e mungesa e transparencës është arsyeja e ngritjes në protestë, shefi i qeverisë thekson se shteti shqiptar ka ndjekur me përpiktmëri të gjitha procedurat ligjore (referuar çështjes së Zvërnecit ) dhe detyrimet ndaj qytetarëve.
Protestuesi Nertil Shuli: Edi Rama Protesta në një demokraci nuk matet nga fakti nëse i pëlqen apo jo qeverisë. Ajo matet nga e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar vendime që ata i konsiderojnë të padrejta ose të dëmshme për interesin publik.
Të thuash se protesta “nuk ka më lidhje me Sazanin dhe Zvërnecin” vetëm sepse qeveria pretendon se ka ndjekur procedurat, është të harrosh se pikërisht transparenca, mosbesimi ndaj institucioneve dhe kërkesa për llogaridhënie janë arsyet pse qytetarët dalin në protestë. Nëse çdo dokument zyrtar do të mjaftonte për të mbyllur debatin publik, atëherë protestat nuk do të kishin ekzistuar kurrë në asnjë demokraci funksionale.
Rama: Asnjëherë nuk e kam menduar se protestat duhet t’i pëlqejnë qeverisë. Qeveria nuk pretendon se ka ndjekur procedurat, qeveria i ka të gjitha faktet për këtë dhe transparenca është pikërisht rreshtimi i fakteve. Askush nuk kërkon po ashtu mbyllje të debatit publik, po dhuna online, bullizimi i njerëzve në rrugë, bllokimi i rrugës së aeroportit nuk janë debat, po mbytje e debatit.
Komenti i protestuesit vijon më tej të thotë se protestat qytetare nuk mund të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmtimit të imazhit të vendit apo të sezonit turistik apo të nënçmosh qytetarët e vendit vetëm se mendojnë ndryshe nga qeveria. Nga ana tjetër, Rama i replikën duk thënë se dëmtimi vjen nga fabrikimi i gënjeshtrave dhe ideologjive si dhe bllokimi i autostradës e rrugës së aeroportit të Rinasit, është cenim i turizmit.
Protestuesi: Po ashtu, është e padrejtë të ngarkohet protesta me përgjegjësinë për dëmtimin e imazhit të vendit apo të sezonit turistik. Imazhi i një shteti nuk dëmtohet nga qytetarët që ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të protestuar, por nga paaftësia për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të ndërtuar besim. Demokracitë më të zhvilluara në botë përjetojnë protesta të vazhdueshme dhe kjo nuk i bën ato vende më pak tërheqëse për turistët apo investitorët.
Nëse ka pasur akte të papranueshme, bllokime të pajustifikuara apo individë që kanë kaluar kufijtë e ligjit, përgjegjësia është individuale dhe duhet trajtuar si e tillë. Por etiketimi i mijëra protestuesve si “turmë e manipuluar”, “budallenj” apo vegla të “forcave destruktive” nuk është argument politik; është përçmim ndaj qytetarëve që mendojnë ndryshe.
Rama: Të protestosh është legjitime dhe askush s’e ve në diskutim këtë. Por t’u bësh jehonë shpifjeve, gënjeshtrave, fabrikimeve si ato që tërhoqën vëmendjen e tërë botës që gjeti në Shqipëri shesh për përsheshet e veta politike, ideologjike apo deri edhe fetare, është goditje ndaj vendit padyshim! Dhe të bllokosh deri edhe rrugën e aeroportit është cënim i sezonit turistik dhe ekonomisë. Askush nuk i ka futur të gjithë protestuesit në një thes, po kjo protestë ka brenda mozaikut të saj nga të gjitha dhe “turmën e manipuluar” e thanë vetë protestuesit e zhgënjyer nga ikja pas berihait mbrëmë natën…
Postimin e mëngjesit Rama e kishte mbyllur duke shkruar se kjo protestë ka vetëm 2 përfitues, qeverinë dhe Partinë Socialiste. Nertil Shuli shkruan se kjo e kthen çdo pakënaqësi qytetare në një instrument propagandistik, në vend që të shihet si një alarm demokratik. Ndërkohë Rama i ka qëndruar të njëjtit mendim.
Protestuesi: Më shqetësuesja është ideja se përfituesit e vetëm të protestës janë qeveria dhe partia në pushtet. Kjo e kthen çdo pakënaqësi qytetare në një instrument propagandistik, në vend që të shihet si një alarm demokratik. Në një republikë normale, protestat nuk duhen demonizuar dhe as instrumentalizuar; ato duhen dëgjuar.
Qytetarët nuk kanë detyrë të jenë të dobishëm për qeverinë. Ata kanë të drejtë të kërkojnë shpjegime, transparencë dhe respekt për shqetësimet e tyre. Demokracia nuk funksionon vetëm ditën e zgjedhjeve; ajo vazhdon edhe në sheshe, në debate publike dhe në zërin e kundërshtimit qytetar.
Rama: Më vjen keq për shqetësimin por kjo është e vërteta, në fund dy përfitues realë do të ketë dhe e di pse? Pikërisht sepse kjo qeveri di të dëgjojë e të nxjerrë mësime, ndërsa Partia Socialiste ka me vete të vërteta të atilla, që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i dinë shumë mirë. Në mbyllje, problemi nuk janë shpjegimet, problemi mbetet kur disa nuk duan t’i dëgjojnë shpjegimet dhe as duan të komunikojnë qetësisht (rasti yt është shumë i rrallë në lumin e harbimit digjital).
E sulmuan se kundërshtoi protestën, Rama i del në mbrojtje qytetares: Korbat e fshehur nën pupla flamingosh e masakruan online sepse mendon ndryshe
“Popull jam dhe unë, por nuk e dua dorëheqjen tuaj”. Me reagimin e një vajze nga Vlora që kundërshton protestën për Nartën dhe Zvërnecin, kryeministri Edi Rama iu rikthye pasditen e së hënës debatit mbi protestat, duke denoncuar sulmet dhe fyerjet online ndaj qytetarëve që nuk ndajnë të njëjtin qëndrim me protestuesit.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama publikoi komentin e Juna Haxhiajt, për të cilën tha se është “masakruar online” pasi ka shprehur hapur mosbesimin ndaj protestës dhe mbështetjen për investimin e planifikuar në zonën e Nartës.
Këtë koment nga kjo faqe, po e postoj si shprehje solidariteti me një vajzë vlonjate që nuk e njoh, të cilën për shkak se nuk beson tek protesta e kanë masakruar online korbat e fshehur nën pupla flamingosh…RESPEKT
“Te them te drejten nuk e kuptoj thelbin e kesaj proteste. Kjo rinia qe u cua per flamingot,” te cilet nuk i kane pare ndonjehere me sy, eshte e njejta rini qe nuk leviz gishtin te kerkoj ashpersim te ligjeve per dhunen ne familje, apo per te drejtat e djemve shqiptar neper burgjet e botes, rikujtoj ketu rastin e Ilia Karelit ne burgun Grek kur une dhe 30 veta u ngritem te protestonim por te rinjte na shikonin nga kafja dhe qeshnin, apo te kerkojne nje bisede per probleme te tjera. Por per flamingot reagojne, dhe per Narten te cilen nuk e dine as se ku bie ne harte jane gati te bejne te ashtuquajturin “REVOLUCION”. Kerkojne doreheqjen tuaj per ministrat apo kryetaret qe jane ne SPAK, po nje pyetje kam? Kush kerkoj te krijohej SPAKU? Ne kohe te PD dhe kur dilnin me video te filmuar, prape Berisha bente namin duke i mbrojtur, rikujtoj rastin e mbertheckave. E kam filluar punen ne shtet kur iku Pd me 580 mije leke te vjetra dhe sot e kam 980,patjeter ka njerez qe jane ne veshtiresi ekonomike te medha, por pagat kane ndryshuar, kushtet e punes kane ndryshuar nga viti ne vit, e mbanim gjeneratorin gati per dritat qe na iknin, kishim frike te dilnim ne nje proteste se do vinte gjithe policia e shtetit me uniformat zhul e me kanatjeren qe i dilte nga barku e do rrihnin protestuesit apo me keq akoma do benin 21 Janarin. Droga, prostitucioni dhe vjedhjet ishin lajmi dites, por pa u godit asnjeher nga ligji, patjeter ka dhe tani, por te pakten shikojme ne lajme perdite si goditen nga ligji. Ne mbledhje te BE-se apo kudo neper bote ishim te paperfaqesuar se as e begeniste njeri Berishen apo ministrat e tij.
Per cfare po protestohet sot??? Vertet do ky popull ti rikthehet asaj kohe??? Dhe a eshte vertet populli qe e do kete gje apo jane thjesht njerez qe pretendojne se perfaqesojne popullin? Popull jam dhe une, por nuk mendoj si ata. Popull jam dhe une po nuk e dua doreheqjen tuaj, popull jam dhe une por nuk shaj, nuk shaj femrat qe kane mendim ndryshe nga une, nuk shaj njerezit me liber shpie vetem se nuk me pelqen logjika tyre, dhe po, dua qe Narta te cilen e njoh permendsh se jam vete Vlonjate te kete nje investim super te denje dhe te konkuroj krahe per krahe me Greqine, Italine apo cdo shtet tjeter per turizem. Dua ta shikoj emrin e Nartes dhe te Vlores te permendet kudo. Si mund te besoj une te ndryshimi kur nje koment i tille do pasoje me 1000 sharje, mallkime dhe fyerje vetem sepse eshte ndryshe? Quhemi sufllaqexhinj, servila, apo me keq akoma Kurva vetem pse nuk mendojme si ta? Si mund te behet ky bullizim online dhe kjo dhune verbale vetem sepse nuk ndan te njejtin mendim? Pse duhet ta rrespektoj mendimin e tyre por per mendimin tim duhet te marr sharje dhe mallkime? Kjo eshte Shqiperia e sigurte? Shqiperia e sigurte fillon me argument, fillon me propozime, fillon me bashkebisedime per me te miren e Shqiperise.
Kur te shikoj qe nje nga kushtet te jete kerkesa per ashpersim te ligjeve per dhunen ne familje, per te kerkuar drejtesi per gjithe cunat Shqiptar qe ndodhen burgjeve te botes dhe nenat e tyre nuk e dine ku ndodhen, kur te shikoj qe kerkohet nje Shqiperi qe mund te komentosh pa frike se do shahesh me liber shpie, duke harruar qe nuk jemi me ne diktature, ateher do besoj ne kete proteste. Deri ne momentin qe te shikoj dicka te tille nuk kam pse protestoj.”