Një personi i panjohur u përpoq sot t’u vërë flakën automjeteve në Ambasadën e Bullgarisë në qendër të Shkupit. Policia ndërkohë është në kërkim të tij.
Sipas informacioneve, sulmuesi stërpiku dhe i vuri flakën një automjeti Suzuki Vitara, pas së cilës zjarri është përhapur edhe në një automjet tjetër të parkuar aty pranë. Pas incidentit, personi është larguar nga vendi i ngjarjes.
Ekipet e policisë po sigurojnë zonën përreth ambasadës, ndërsa njësitë e tjera po marrin masa për të gjetur personin e dyshuar për shkaktimin e zjarrit.
Deri më tani, nuk ka informacione për persona të lënduar, as detaje zyrtare rreth motiveve të sulmit.
Qeveria e Maqedonisë ndërkohë reagoi duke e quajtur incidentin akt vandal dhe të papranueshëm.
“Këto veprime përbëjnë sulm ndaj parimeve të sigurisë, marrëdhënieve diplomatike dhe të drejtës ndërkombëtare dhe nuk duhet të kenë vend në një shtet demokratik. Institucionet kompetente tashmë po ndërmarrin masa intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve. Si Qeveri, duam të dërgojmë një mesazh të qartë se çdo tentativë për nxitje tensionesh, përhapje të urrejtjes apo cenim të sigurisë do të sanksionohet maksimalisht. Shteti ka kapacitetet dhe do të reagojë me gjithë forcën e institucioneve, duke mos lejuar që individë të caktuar ta dëmtojnë reputacionin e Maqedonisë. Presim hetim të shpejtë dhe efikas, zbardhje të plotë të ngjarjes dhe përgjegjësi penale adekuate për autorët. Qeveria mbetet fuqimisht e përkushtuar për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve dhe misioneve diplomatike në vend, si dhe për ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thanë nga Qeveria.
Incidenti, edhe pse ende pa motive të konfirmuara, mund të rrisë tensionet mes Sofjes dhe Shkupit, marrëdhëniet e së cilave janë tashmë të ndjeshme.
Ky incident nuk është i pari i këtij lloji që ndodh ndaj Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, pasi më 11 janar 2026 ndodhi edhe një sulm tjetër kur një person i panjohur theu xhamin e derës hyrëse të ambasadës dhe u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas autoritetet e identifikuan dhe e arrestuan të dyshuarin, duke e trajtuar rastin si vandalizëm ndaj misionit diplomatik.