Ai ka theksuar nevojën që proceset e gradimit të jenë të rregullta, të parashikueshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas Hotit, një nga problemet kryesore që ka çuar në situatën aktuale është mungesa e organizimit të testeve për gradim për një periudhë të gjatë, duke lënë pa mundësi avancimi disa gjenerata të zyrtarëve policorë.
Ai ka paralajmëruar se pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin dhe zhvillimin profesional të zyrtarëve policorë, veçanërisht të atyre që prej vitesh presin avancim në karrierë.
“Pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin e zyrtarëve policorë, veçanërisht tek ata që prej vitesh presin avancim profesional. Mungesa e mundësive për zhvillim në karrierë reflekton edhe në interesimin e përgjithshëm për profesionin, prandaj është e rëndësishme që proceset e gradimit të rikthehen sa më shpejt.”, theksoi ai.
Lidhur me transparencën dhe meritokracinë në procesin e gradimit, Hoti ka vlerësuar se baza ligjore ekziston, por zbatimi praktik i saj kërkon përmirësime.
“Sindika vlerëson se kriteret ligjore ekzistojnë dhe synojnë transparencë dhe meritokraci, megjithatë zbatimi i tyre në praktikë ka nevojë për përmirësim. Rishikimi i procedurave dhe respektimi i qartë i kalimit nga grada në gradë do të ndihmonte që procesi i gradimit të jetë më i drejtë dhe më i pranueshëm për të gjithë zyrtarët policorë.”
Sa i përket hapave të mëtejmë, Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon rifillimin e procesit të gradimeve në të gjitha nivelet dhe organizimin e një konkursi të ri për gradën e Togerit.
“Sindika rekomandon rifillimin sa më të shpejtë të procesit të gradimit për të gjitha gradat, duke filluar nga grada e Rreshterit e deri te grada e Kolonelit, në përputhje me Ligjin e Policisë së Kosovës dhe afatet kohore përkatëse. Po ashtu, kërkohet hapja e një konkursi të ri për gradën e Togerit, ku të gjithë Rreshterët e interesuar të kenë mundësi të aplikojnë. Pas këtij procesi, Sindikata vlerëson se duhet të vazhdojnë edhe gradimet për gradat e tjera, përmes një planifikimi të rregullt dhe në dialog të vazhdueshëm me menaxhmentin dhe institucionet përkatëse.”
Hoti ka theksuar se pezullimi aktual duhet të shfrytëzohet si mundësi për riorganizimin e procesit dhe rikthimin e tij në një formë që garanton siguri juridike, transparencë dhe mundësi të barabarta për të gjithë zyrtarët policorë.