Ministri Llamallari ka zhvilluar një takim zyrtar në selinë e Europol në Hagë, ku është pritur nga drejtori ekzekutiv në detyrë i agjencisë, Jürgen Ebner, si dhe nga përfaqësues të qendrave të specializuara të Europol kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik.
Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Europol, me fokus të veçantë në luftën kundër trafikut të drogës, grupeve kriminale, trafikimit të qenieve njerëzore, krimit financiar dhe mashtrimeve online .
“Në selinë e Europol në Hagë, ku zhvillova një takim me drejtorin ekzekutiv në detyrë, Jürgen Ebner, si dhe me përfaqësues të qendrave të specializuara të Europol kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik. Diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Europol, veçanërisht në luftën kundër trafikut të drogës, grupeve kriminale, trafikimit të qenieve njerëzore, krimit financiar dhe mashtrimeve online. Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit europian dhe po dëshmon çdo ditë se vepron si një partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm, duke kontribuar në sigurinë e përbashkët europiane me të njëjtin angazhim si vendet anëtare të BE. Bashkëpunimi i ngushtë i Policisë së Shtetit me Europol dhe pjesëmarrja aktive në operacionet e përbashkëta, janë dëshmi konkrete e këtij përkushtimi. Bashkërendojmë punën për ta çuar këtë partneritet në një nivel edhe më të lartë”, u shpreh ministri Llamallari.
Takimi vlerësohet si një hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve ligjzbatuese shqiptare dhe partnerëve europianë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe forcimin e sigurisë.