Ministri Llamallari ka zhvilluar një takim me presidentin e Eurojust, Michael Schmid, ku u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër krimeve ndërkufitare.
Gjatë takimit u vlerësua partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Eurojust, i cili ka sjellë rezultate konkrete në hetimin e veprave penale komplekse, trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe mashtrimeve online. Po ashtu, u theksua mbështetja e Eurojust për institucionet shqiptare dhe roli i rëndësishëm i Prokurorit Ndërlidhës në forcimin e bashkëpunimit gjyqësor me vendet e Bashkimit Evropian.
“Kënaqësi të takohesha me presidentin e Eurojust, Michael Schmid, e të diskutonim mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër krimeve ndërkufitare. Shqipëria dhe Eurojust kanë ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm që po jep rezultate konkrete në hetimin e veprave penale komplekse, trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe mashtrimeve online. Vlerësova mbështetjen e Eurojust për institucionet shqiptare dhe rolin e rëndësishëm që po luan Prokurori Ndërlidhës në forcimin e bashkëpunimit gjyqësor me vendet e BE. Ne do të vijojmë të jemi një partner i besueshëm në përpjekjet e përbashkëta për siguri, drejtësi dhe sundim të ligjit. Mbështetja jonë për institucionet e drejtësisë mbetet thelbësore në rrugën drejt standardeve evropiane”, u shpreh ministri Llamallari.
Takimi konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin me institucionet evropiane të drejtësisë dhe për të forcuar mekanizmat e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera kriminale ndërkufitare.